SPAK mbyll hetimet për Arben Ndokën dhe 26 të tjerë: grupi i strukturuar u zbërthye nga përgjimet e SkyECC, plane për vrasje, drogë dhe korrupsion në polici

Data

Prokuroria e Posaçme (SPAK) ka përfunduar hetimet dhe ka dërguar për gjykim në Gjykatën e Posaçme dosjen penale nr. 53/3 të vitit 2022, ku në qendër është ish-deputeti i PS Arben Ndoka, së bashku me 26 të pandehur të tjerë. Hetimet janë bazuar kryesisht në përgjimet e aplikacionit të enkriptuar SkyECC, që zbuluan një rrjet të gjerë kriminal me plane për vrasje, trafik narkotikësh, kultivim kanabisi dhe bashkëpunim me punonjës policie.

Arben Ndoka dhe Arian Tuku, drejtues të grupit

Sipas SPAK, Arben Ndoka dhe Arian Tuku konsiderohen krijues, organizues dhe drejtues të një grupi të strukturuar kriminal, që gjatë vitit 2020 ka siguruar kushte dhe mjete materiale për të kryer vrasjen e vëllezërve Durim dhe Valter Bami. Po ashtu, ata akuzohen se kanë planifikuar edhe vrasjen e Aleks Ndrekës (Aleksandër Deda) në Lezhë, ngjarje e mbetur në tentativë më 1 dhjetor 2020, kur viktima u plagos me armë zjarri nga një automjet në lëvizje.

Ndoka dhe Tuku akuzohen gjithashtu se kanë ndihmuar, më 3 korrik 2020, Aldo (Elidon) Avdylin për të hyrë në mënyrë të paligjshme në Shqipëri nga Mali i Zi, duke shmangur kalimin nga pikat zyrtare kufitare.

Emra të njohur të botës së krimit në të njëjtën dosje

Në këtë procedim përfshihen emra të njohur të kronikës së zezë si Ervis Martinaj, Endrit Dokle, Durim Bami, Marklen Haka, Tori (Hektor) Xhecuka, Elson Reçi (Kaçorri), Fatmir Troplini, Altin Morina, Henerigert Mitri, Klodian Shahini dhe të tjerë.

SPAK thotë se grupet e strukturuara kriminale kanë qenë të ndërlidhura mes tyre, duke financuar dhe porositur njëri-tjetrin për likuidime, goditje kundërshtarësh dhe kontroll territori.

Tentativa për vrasje dhe atentate të bujshme

Nga aktet e SPAK rezulton se:

  • Një grup i drejtuar nga Tori (Hektor) Xhecuka, i financuar nga Ervis Martinaj, ka organizuar atentatin e 4 nëntorit 2020 në Urrën e Tapizës, ku u qëllua me breshëri automatiku ndaj mjetit të Durim Bamit dhe Ervin Kodrës. Të dy mbetën të plagosur, ndërsa ngjarja u cilësua tentativë për “vrasje në rrethana të tjera cilësuese”.
  • I njëjti grup, sipas SPAK, ka tentuar të vrasë edhe Hamza Terziun, duke qëlluar 26 herë me armë automatike drejt banesës së tij në fshatin Zenisht të Matit, më 18 maj 2020, duke vënë në rrezik edhe familjarët brenda shtëpisë.
  • Durim Bami, në një moment tjetër, del vetë si organizator: ai akuzohet se ka drejtuar grupin që planifikoi vrasjen e Arben Ndokës, si dhe likuidimin e Tori Xhecukës dhe Erigers Mihasit, në vitet 2020–2021.
  • Ervis Martinaj, sipas SPAK, ka financuar dhe drejtuar plane për të eliminuar Leonard Dukën, Elvis Gacën, Altin Gegën, Fatmir e Armando Hysenit, duke siguruar njerëz, armë, mjete dhe logjistikë.

Një tjetër atentat i rëndë i përfshirë në dosje është ai i 15 shtatorit 2020, te Ura e Nisharakut në Tiranë, ku në automjetin e Preng Gjinit shpërtheu një sasi eksplozivi. Gjini mbeti rëndë i plagosur, ndërsa dy kalimtarë morën lëndime të lehta. SPAK thotë se pas këtij atentati qëndron grupi i drejtuar nga Elson Reçi, me pjesëmarrjen e Fatmir Troplinit dhe Klodian Shahinit.

Krimi i organizuar dhe policia: kanabisi, informatat dhe lojërat e fatit

Një pjesë e rëndësishme e dosjes lidhet me kultivimin e kanabisit dhe mbrojtjen policore të parcelave narkotike. Sipas SPAK:

  • Durim Bami ka organizuar kultivimin masiv të kanabisit në Nikël dhe Bubq (Krujë) gjatë viteve 2019–2020, me mbështetje nga punonjës policie, ndër ta Altin Morina, të cilit iu gjet më vonë në makinë një armë pistoletë “Berretta” me fishekë.
  • Në Qarkun Lezhë, një grup tjetër i drejtuar nga Elson Reçi ka kultivuar kanabis me ndihmën e Klodian Shahinit, shef i Sektorit të Narkotikëve në Policinë e Lezhës, dhe Henerigert Mitrit, drejtor i Policisë Vendore. Ata dyshohet se jepnin informacione të brendshme, shmangnin kontrollet dhe lejonin kultivimin e paligjshëm.
  • Në banesën e Elton Zallës u sekuestruan 202 kg kanabis, në proces tharjeje dhe paketimi, duke e pozicionuar atë si hallkë logjistike të rrjetit.

SPAK thekson gjithashtu se, përmes komunikimeve në SkyECC, ish-drejtues policie rezulton se ka toleruar edhe ushtrimin e lojërave të fatit në kundërshtim me ligjin, duke mos ndërhyrë, pavarësisht detyrës.

Trafikim droge drejt BE-së

Një tjetër degë e dosjes lidhet me trafikimin e kanabisit drejt vendeve të BE-së. Sipas Prokurorisë së Posaçme, Arian Tuku, Kasandër Noga dhe Edson (Edmir) Pjetri kanë organizuar dhe financuar një grup që gjatë vitit 2020 dërgonte kanabis nga Shqipëria drejt Malit të Zi dhe më tej në Evropë. Më 3 nëntor 2020, rreth 160 kg kanabis e nisur nga Shqipëria u sekuestrua në Malin e Zi.

Nga SkyECC në bankën e të akuzuarve

E gjithë kjo veprimtari kriminale është dokumentuar, sipas SPAK, përmes:

  • Përgjimeve të aplikacionit SkyECC, ku të pandehurit përdornin pseudonime, kode dhe komunikime të enkriptuara për të organizuar atentate, për të lëvizur armë e eksplozivë, për të shënuar pagesa dhe favore;
  • Sekuestrimit të armëve, drogës, mjeteve eksplozive, automjeteve luksoze dhe sasisë së madhe të kanabisit në disa ngjarje të ndryshme;
  • Deklarimeve, vëzhgimeve dhe provave të tjera hetimore.

Në përfundim, 27 të pandehurit akuzohen për një gamë të gjerë veprash penale, nga “vrasje me paramendim”, “vrasje në rrethana të tjera cilësuese” dhe “vrasje për gjakmarrje” në tentativë, te “kultivim dhe trafikim narkotikësh”, “mbajtje pa leje armësh”, “grup i strukturuar kriminal”, “kryerje e veprave penale nga organizata kriminale”, si dhe “shpërdorim detyre” për funksionarët e policisë.

Dosja tani i kalon Gjykatës së Posaçme, e cila do të vendosë për fatin gjyqësor të njërit prej proceseve më të mëdha ndaj krimit të organizuar në vitet e fundit.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related