Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, riktheu sot akuzat e forta ndaj qeverisë, duke e cilësuar Shqipërinë “narkoshtetin e parë në Evropë” dhe duke deklaruar se këtë e vërtetojnë rezolutat e shumta të faktorëve ndërkombëtarë, para dhe pas zgjedhjeve të 11 majit. Në një deklaratë të gjatë për mediat nga selia blu, Berisha tha se dokumentet ndërkombëtare janë “dëshmi e realitetit tragjik ku ndodhet vendi nën regjimin e Edi Ramës”.
“Rezolutat e ndërkombëtarëve, kambanë alarmi për Shqipërinë”
Sipas Berishës, rezolutat e organizatave europiane dhe ndërkombëtare pasqyrojnë shtypjen e opozitës, përdorimin e shtetit kundër kundërshtarëve politikë dhe degradimin e reformës në drejtësi.
“Rezolutat janë kambana alarmi. Ato nxjerrin në ditën e diellit keqpërdorimin e drejtësisë nga narkoregjimi. Shqipëria është shndërruar në kështjellë droge nën Edi Ramën,” deklaroi ai.
Berisha akuzoi drejtësinë për shërbim ndaj pushtetit, duke theksuar se nën proces ose arrest janë tre liderët kryesorë të opozitës, sipas tij për motive politike.
Katastrofa demografike: “Vendi po shpopullohet me ritme dramatike”
Lideri i PD-së u ndal edhe te të dhënat më të fundit të INSTAT, të cilat i cilësoi alarmante:
- Vdekjet prej vitesh tejkalojnë lindjet
- Lindshmëria është “më e ulëta në botë”
- Treguesit ekonomikë “janë të rremë dhe mbështeten te paraja e pistë”
“Shpopullimi është dramatik. INSTAT sinjalizon katastrofë të plotë. Ekonomia kontribuon vetëm 49% në rritjen ekonomike, pjesa tjetër është para e zezë. Kjo është rënia e një narkoshteti,” tha Berisha.
Berisha: Zgjedhjet e 11 majit – farsë e partisë-shtet
Kreu i opozitës lexoi pjesë nga raporti i OSBE/ODIHR, duke këmbëngulur se zgjedhjet e këtij viti u ndikuan nga:
- përdorimi i administratës publike në fushatë,
- përfshirja e grupeve kriminale,
- kandidimi i personave me lidhje të dyshimta,
- presion dhe shantazh ndaj kandidatëve të opozitës.
Rezoluta e IDU-së nga Washingtoni: “Mbështetje e plotë për opozitën shqiptare”
Berisha njoftoi se dje, në Washington, Bashkimi Demokrat Ndërkombëtar (IDU) – një rrjet prej rreth 80 partish konservatore të botës, i udhëhequr nga Partia Republikane e SHBA – miratoi një rezolutë të posaçme për Shqipërinë.
Sipas tij, dokumenti:
- dënon atë që e quan “narko-regjimi i Edi Ramës”,
- shpreh mbështetje të plotë për opozitën shqiptare,
- është rezoluta e 7-të ndërkombëtare brenda 14 muajve që, sipas Berishës, e pozicionon qeverinë në nivele alarmante.
“IDU, CDU e Gjermanisë, konservatorët britanikë dhe të gjitha partitë e djathta miratuan rezolutën për Shqipërinë pa asnjë kundërshtim. Mbështetja për opozitën është unanime,” deklaoi Berisha.
“Narkodiktatura nuk ka të ardhme”
Në fund, Berisha u shpreh se Shqipëria ndodhet në një pikë historike të rrezikshme dhe se opozita do të vazhdojë betejën për ta rrëzuar regjimin, siç e cilëson ai.
“Narkoshteti nuk ka të ardhme. Populli dhe opozita do të rikthejnë demokracinë,” tha ai.
