Deputetja e Partisë Demokratike dhe kryetarja e Komisionit për Kulturën, Turizmin dhe Diasporën, Ina Zhupa, ka reaguar lidhur me debatet për Gjirin e Gramës, duke deklaruar se ekzistojnë dy qasje krejtësisht të ndryshme për të ardhmen e kësaj zone me vlera të veçanta natyrore dhe kulturore.
Përmes një reagimi publik, Zhupa bëri të ditur se në shtator të vitit 2023 i është drejtuar zyrtarisht UNESCO-s me kërkesën për shqyrtimin e përfshirjes së Gjirit të Gramës në Listën e Trashëgimisë Botërore.
Sipas saj, dokumentet dhe publikimet e lidhura me të ashtuquajturën “Dosja Aruba” paraqesin një qasje të kundërt, ku zona, sipas pretendimeve të bëra publike, shihet si objekt tjetërsimi pronash dhe investimesh strategjike.
Zhupa pretendon se në materialet e publikuara përmendet edhe emri i kryetarit të Bashkisë Himarë, Vangjel Tavo, ndërsa thekson se këto janë referenca të bazuara në publikime mediatike.
“Ne luftojmë që Gjiri i Gramës të njihet nga UNESCO dhe t’u trashëgohet brezave i paprekur. Ndërsa qasja tjetër e trajton atë si një pasuri që mund të tjetërësohet për interesa private”, shprehet deputetja.
Ajo shton se Gjiri i Gramës është një pasuri kombëtare që duhet të mbrohet dhe jo të shfrytëzohet për interesa ekonomike apo klienteliste.
Në përfundim të reagimit të saj, Zhupa bën thirrje për mbrojtjen e trashëgimisë natyrore dhe kulturore të vendit, duke theksuar se pasuritë publike duhet t’u shërbejnë qytetarëve dhe brezave të ardhshëm.
