Në skenën politike shqiptare, opozita duket gjithnjë e më shumë si një alibi e pushtetit, dhe jo si forca që sfidon status quo-në. Kryetari i Partisë Demokratike-Demokratët Euroatlantikë, Lulzim Basha, nga Washingtoni, ka hedhur akuza të rënda ndaj ish-kryeministrit Sali Berisha, duke e cilësuar këtë të fundit si “dordolecin e Edi Ramës” dhe një simbol të marrëveshjeve të turpshme që kanë mbajtur peng Shqipërinë. Berisha, nga ana tjetër, vijon të përdorë retorikën e shpifjeve, duke e përshkruar Bashën si pjesë të një binomi të pandashëm me Taulant Ballën. Por për Bashën, kjo është thjesht një përpjekje për të fshehur të vërtetën: marrëveshjet e 2008-ës, ku Berisha dhe Rama ndryshuan rregullat e lojës për të konsoliduar pushtetin e tyre.
“Doktor Pazari”, siç e quan ai Berishën, ka pranuar të mbrojë korrupsionin dhe të pengojë çdo tentativë për ndryshim të vërtetë, duke ricikluar një opozitë fallco që shërben vetëm për të legjitimuar regjimin e Ramës. Shqiptarët, sipas Bashës, nuk e përtypin më këtë lojë politike të shëmtuar. Ata kërkojnë një opozitë të pastër dhe një ndryshim real, jo një teatër politik që përdoret për të justifikuar pushtetin e pakicës. Sulmet ndaj tij, thotë Basha, janë dëshmia më e qartë e frikës që kanë të korruptuarit nga vizioni i tij për një PD të re, larg hijes së marrëveshjeve të turpshme dhe pazareve të vjetra. “Nga Washingtoni, të përshëndes, Doktor”, përfundon ai me një goditje të fortë ndaj Berishës dhe aleancës së tij të heshtur me Ramën.
