Prokuroria e Posaçme (SPAK) ka konfirmuar zyrtarisht nisjen e hetimeve mbi aferën e dyshuar korruptive që lidhet me ndërtimin e tunelit të Llogarasë. Në qendër të këtyre hetimeve qëndron ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, e cila akuzohet se në mënyrë antiligjore i ka siguruar një përfitim të jashtëzakonshëm financiar një kompanie turke.
Ishte vetë kryetari i SPAK, Altin Dumani që deklaroi dje gjatë një takimi informal me gazetarët se deklaratat e ish-zv/kryeministrit Arben Ahmetaj për kontratën e ndërtimit të tunelit të Llogarasë janë në proces hetimor. “Nuk mund të jap informacion për efekt hetimi”, tha Dumani. Pra ai konfirmoi zyrtarisht atë që gazeta “SOT” ka shkruar para disa javësh, se është regjistruar dhe kanë nisur hetimet për kallëzimin penal që është çuar nga opozita, ku pjesë e dosjes është dhe denoncimi publik i Ahmetajt.
Hetimet e SPAK janë përqendruar që në mars të vitit 2021, ku qeveria shqiptare tenderoi për herë të parë ndërtimin e tunelit të Llogarasë me fond limit 19 miliardë lekë ose 190 milionë euro me kursin e sotëm. Në tender u paraqitën 6 oferta ku më e ulëta ishte ajo e kompanisë shqiptare Gjoka Konstruksion me 14 miliardë lekë ose 140 milionë euro. Por ministrja Belinda Balluku e anuloi tenderin me arsyen zyrtare se asnjëra nga ofertat nuk ishte e përshtatshme. Tuneli i ritenderua në korrik të vitit 2021. Qeveria shpalli fitues të garës bashkimin e dy kompanive turke, por këtë herë me vlerën 17 miliardë lekë ose 170 milionë euro. Pra 30 milionë euro më shumë se oferta në tenderin e parë që u anulua.
Por skandali që po heton SPAK në këtë mes nuk mbaron me kaq. Tuneli i Llogarasë u ndërtua përmes nënkontraktimeve nga kompania “Gjoka” që dha ofertën 140 milionë euro në tenderin e parë të anuluar në mënyrë anti-ligjore nga Balluku. Kompania turke dyshohet se veproi kryesisht si ndërmjetës, duke përfituar diferencën prej 30 milionë eurosh. Pra qytetarët shqiptarë paguan 170 milionë euro, pasi 30 milionë shkuan si divident në Ankara. Punimet i bëri e njëjta kompani dhe Balluku detyrohet të fusë në tender sërish “Gjokën”, kompani që u refuzua në fillim edhe pse paraqiti ofertë më të ulët se kompania turke.
Nga analiza e pasqyrave financiare për vitet 2021 – 2024, kompania turke ka deklaruar se ka fituar në total gati 30 milionë euro, ndërkohë që në detajimin e zërave të shpenzimeve rezulton se 97.5% – 99% janë pagesa të kryera për nënkontraktim, pra kompanisë “Gjoka Konstruksion” sh.a. Ekzistojnë të dhëna, përfshirë dëshminë publike të Arben Ahmetajt, një prej pjesëmarrësve në takim, se kompania fiktive turke u paracaktua si fituese në një takim në Ankara, Turqi, të zhvilluar në datën 3 Qershor 2021, pra 21 ditë para rishpalljes së tenderit.
Denoncimi i Arben Ahmetajt për tunelin e Llogarasë që po hetohet nga SPAK
Ahmetaj: tuneli i Llogarasë është një aferë perse, korruptive. Dmth, një kompani shqiptare shumë dinjitoze ka garuar në tender dhe ka fituar. Ja kanë anuluar. E ka fituar me 140 mln euro. Pasi janë bërë takime në Ankara, le ta zgjasim këtë punën e batutave se do të ju them detaje. I është dhënë tenderi një kombinimi turk i cili sipas…
Peka: Kush i bëri bisedimet në Ankara…
Ahmetaj: Të gjithë i ke me fotografi. Sipas të gjithave analizave që unë i kam bërë bilancit nuk ka sjellë asnjë makineri. Përsëri punën e ka bërë nënkontraktori prestigjioz Gjokaj. Ama kompania turke, fiton pas taksash, në përllogaritje në referencë të bilanceve kontabël të tyre që unë i kam studiuar me vëmendje, kombinimi turk 32 mln euro. 32 mln pa bërë asgjë. Meqë deshët fakte. Meqë më thatë së, dikush thotë që unë nuk kam fakte. Unë nuk jam 007, nuk ka bërë kush deal me mua për 1 mln arsye. Me kë i bën deal i di vetë ai. Le ti urdhërojë të gjithë gangsterët, kriminelët. E di ca i thotë qeverisë, më gjeni patjetër çfarë ka bërë Ben Ahmetaj. E thotë në mbledhje qeverie, ma thonë njerëzit e tij.
