Një aksident i rëndë hekurudhor ka tronditur Meksikën, pasi Treni Interoqeanik doli nga shinat në rajonin e Isthmusit të Tehuantepec, në shtetin Oaxaca, duke shkaktuar humbjen e jetës së të paktën 13 personave dhe plagosjen e 98 të tjerëve.
Sipas autoriteteve lokale, në tren udhëtonin rreth 250 pasagjerë në momentin e aksidentit, i cili ndodhi pranë zonës së Nizandës, në komunën Asunción Ixtaltepec. Bilanci i viktimave është përkeqësuar gjatë orëve të fundit, ndërsa ekipet e emergjencës vijojnë punën në terren.
Autoritetet kanë bërë të ditur se 139 persona janë jashtë rrezikut për jetën, ndërsa 36 të plagosur po marrin trajtim mjekësor në spitale. Qeveria e shtetit të Oaxaca-s ka shprehur ngushëllime për familjet e viktimave dhe ka garantuar mbështetje për të gjithë të prekurit.
Treni Interoqeanik është një linjë strategjike që lidh Gjirin e Meksikës me Oqeanin Paqësor dhe përdoret si për transport pasagjerësh ashtu edhe mallrash. Hetimet për shkaqet e aksidentit kanë nisur, ndërsa autoritetet pritet të sqarojnë rrethanat që çuan në këtë tragjedi.
