Seanca plenare e Kuvendit është shoqëruar me tensione dhe debate të forta brenda radhëve të Partia Socialiste, ku përplasjet kanë ardhur si për çështje procedurale ashtu edhe për mungesën e ministrave në interpelanca parlamentare.
Një nga debatet më të forta u regjistrua gjatë interpelancës së kërkuar nga deputeti Erion Braçe me ministrin e Bujqësisë, lidhur me trajtimin e kafshëve të rrugës dhe procedurat për groposjen apo djegien e tyre pas ngordhjes.
Në sallën e Kuvendit, në vend të ministrit të Bujqësisë, ishte paraqitur ministri për Pushtetin Vendor, çka shkaktoi reagimin e ashpër të Braçes.
“Mungesa e ministrit të Bujqësisë është mungesë respekti ndaj Kuvendit dhe nuk fsheh paaftësinë epike për të lexuar, jo thjesht për të mos bërë punën”, deklaroi Braçe nga foltorja.
Deputeti socialist kritikoi gjithashtu mënyrën sesi, sipas tij, po administrohen procedurat parlamentare, duke theksuar se askush nuk mund të përcaktojë në emër të deputetit se me cilin ministër duhet të zhvillohet interpelanca.
“Nuk mund të përcaktojë një kryetar grupi me kë duhet të bëj interpelancën dhe as një ministër tjetër nuk mund të zëvendësojë ministrin që është thirrur”, tha ai.
Braçe foli edhe për atë që e quajti “përtaci mendore” në administrimin institucional, ndërsa shtoi se, pavarësisht mungesës së ministrit, do ta vijonte interpelancën “sepse dua të bëj punën time”.
Një tjetër moment tensioni u regjistrua gjatë diskutimeve për projekt-rezolutën e integrimit europian, ku u përplasën Ulsi Manja dhe Niko Peleshi.
Debati nisi pasi Sali Berisha përmendi Manjën gjatë fjalës së tij në Kuvend. Manja kërkoi të merrte fjalën për replikë, por kërkesa iu refuzua nga kryeparlamentari Peleshi, i cili argumentoi se seanca kishte minutazh të përcaktuar.
“Nuk mundet, jemi me minutazh të përcaktuar”, tha Peleshi.
Në replika direkte mes tyre, Manja iu drejtua Peleshit me fjalët “o miko”, ndërsa ky i fundit iu përgjigj: “Unë nuk jam miko”.
Debati vijoi më vonë gjatë seancës, kur Manja akuzoi Peleshin për “cinizëm” dhe tha se nuk iu dha mundësia për t’iu përgjigjur akuzave të bëra ndaj tij.
Nga ana tjetër, Peleshi deklaroi se rregullorja nuk i lejonte të përgjigjej, por shtoi se do t’i “studionte” komentet e Manjës.
Përplasjet e djeshme në Kuvend kanë nxjerrë në pah tensionet dhe pakënaqësitë e brendshme në radhët e socialistëve, në një moment kur debati politik po dominohet nga çështjet e integrimit europian, korrupsionit dhe reformave institucionale.
