Partia Demokratike ka denoncuar dhunën e ushtruar nga Policia e Shtetit ndaj protestuesve gjatë tubimit të opozitës të zhvilluar një ditë më parë në Tiranë, ku dhjetëra qytetarë u lënduan dhe u vunë në rrezik serioz nga përdorimi i gazit lotsjellës.
Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Demokratike, Flamur Noka, ka reaguar ashpër në rrjetet sociale, duke e cilësuar sjelljen e policisë si shprehje të një mendësie çnjerëzore dhe degradim të rëndë të shtetit.
Në reagimin e tij, Noka sjell në vëmendje rastin e Rexhino Pepajt, 34-vjeçar nga Berati, i cili sipas denoncimit është dhunuar për më shumë se katër orë nga efektivë të policisë, fillimisht gjatë protestës dhe më pas në ambientet e komisariatit.
Sipas Nokës, Pepaj është goditur në fytyrë, pranë syrit të djathtë, nga një bombë gazi lotsjellës dhe më pas është keqtrajtuar nga efektivët brenda komisariatit. Pavarësisht gjendjes së rënduar shëndetësore dhe kërkesave për ndihmë mjekësore, policia nuk e ka lejuar të dërgohet në spital, duke e mbajtur të ndaluar për disa orë. Vetëm pasi gjendja e tij u përkeqësua ndjeshëm, ai u la i lirë dhe përfundoi në spital.
Noka thekson se përdorimi i dhunës ndaj qytetarëve paqësorë dhe mohimi i ndihmës mjekësore përbëjnë shkelje të rënda të të drejtave të njeriut dhe tregojnë nivelin alarmant të degradimit të shtetit ligjor.
Reagimi i Flamur Nokës:
“Policia e gradës ZH!
Protestuesi Rexhino Pepaj është goditur në fytyrë (afër syrit të djathtë) nga një bombë gazi.
Si të mos mjaftonte kjo, ai u keqtrajtua nga efektivë të policisë në ambientet e komisariatit.
Kërkoi ta dërgonin në spital sepse nuk po ndjehej mirë, por policia nuk e lejoi.
Kjo mendësi çnjerëzore e policisë tregon nivelin e shtetit. Grada ZH!”
