“Qëndrimet e Ramës ndaj protestës së PD”, Bardhi: Koha e kryeministrit të korrupsionit dhe e karteleve të drogës ka skaduar

Data

Kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, ka reaguar ashpër ndaj qëndrimeve të kryeministrit Edi Rama pas protestës së opozitës, duke e cilësuar atë si një kryeministër të skaduar që i përgjigjet qytetarëve me dhunë shtetërore.

Në një postim në rrjetet sociale, Bardhi thekson se askund në Europë një kryeministër nuk mbron korrupsionin dhe nuk reagon ndaj protestave qytetare me dhunë policore, gaz lotsjellës të skaduar dhe ujë me piper, siç ndodhi mbrëmjen e kaluar në Tiranë.

Sipas tij, reagimi i Ramës është tipik për regjimet e korruptuara që kanë humbur kontrollin dhe që përpiqen të mbijetojnë përmes frikës dhe represionit, në vend të llogaridhënies dhe dorëheqjes.

Bardhi nënvizon se, sipas standardeve europiane, kur një kryeministër përfshihet në skandale dhe zgjedh dhunën ndaj qytetarëve, ai nuk qeveris më, por largohet, pa u fshehur pas propagandës dhe pa kriminalizuar opozitën.

Ai akuzon Ramën se është shndërruar në “avokat të korrupsionit”, duke mbrojtur zëvendëskryeministren Belinda Balluku, ndërsa shton se në asnjë vend europian nuk paracaktohen tendera, nuk sulmohet drejtësia dhe nuk ndërtohen ura mes qeverisë dhe krimit të organizuar.

Sipas Bardhit, lidhjet e pushtetit me kartelet e drogës, emërimet politike në Policinë e Shtetit dhe sulmet ndaj drejtësisë janë shenja të qarta të një regjimi të rrënuar, që po përpiqet të mbajë pushtetin me çdo kusht.

Postimi i plotë i Gazment Bardhit:

“Askund në Europë Kryeministri nuk mbron korrupsionin.

Edi Rama është një kryeministër i skaduar dhe mbrëmë reagoi kundër protestuesve si çdo regjim i korruptuar që ka humbur kontrollin: me dhunë shtetërore, gaz lotsjellës të skaduar dhe ujë me piper.

Kudo në Europë, kur një kryeministër kapet në skandale dhe i përgjigjet qytetarëve me dhunë, ai nuk qeveris më. Ai largohet. Nuk fshihet pas propagandës. Nuk kriminalizon opozitën. Nuk dhunon qytetarët.

Askund në Europë, Kryeministri nuk shndërrohet në avokat të korrupsionit, siç po bën Edi Rama me Belinda Ballukun.

Askund në Europë, një kryeministër nuk paracakton tendera.

Askund në Europë, një kryeministër nuk cakton koordinator mes qeverisë dhe krimit të organizuar.

Askund në Europë, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë nuk emërohet nga krimi.

Vetëm regjimet e kalbura reagojnë me dhunë ndaj protestave. Ky është Edi Rama.

As gazi i skaduar, as uji me piper nuk do ta mbrojnë më.

Koha e kryeministrit të korrupsionit dhe e karteleve të drogës ka skaduar.”

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related