Ambasadorja amerikane: Shqipëria të mirëpresë investimet, por të mbrojë sektorët strategjikë

Data

Në një periudhë kur investimi i propozuar prej 4 miliardë dollarësh në zonën e Zvërnecit ka nxitur debate të forta publike dhe protesta në vend, e ngarkuara me punë e Ambasadës së Shteteve të Bashkuara në Tiranë, Nancy VanHorn, ka përcjellë një mesazh mbi rëndësinë e balancimit mes tërheqjes së investimeve dhe mbrojtjes së interesave kombëtare.

Gjatë prezantimit të mekanizmit të shqyrtimit të investimeve të huaja direkte (IHD), VanHorn theksoi se investimet që nxisin zhvillimin ekonomik duhet të inkurajohen, por pa cenuar sigurinë kombëtare dhe sektorët strategjikë të vendit.

Duke iu referuar politikës së investimeve të shpallur nga presidenti amerikan Donald Trump, diplomatja amerikane nënvizoi se Shqipëria dhe SHBA ndajnë të njëjtin parim në këtë drejtim.

“Mirëpritni investimet që forcojnë rritjen ekonomike, duke siguruar njëkohësisht që infrastruktura kritike dhe sektorët strategjikë të mbeten të mbrojtur. Qasja e Shqipërisë për shqyrtimin e investimeve bazohet në të njëjtin parim”, deklaroi VanHorn.

Ajo theksoi se miratimi i kuadrit ligjor është vetëm hapi i parë, ndërsa suksesi do të varet nga zbatimi praktik i tij. Sipas saj, Shtetet e Bashkuara do të vijojnë të mbështesin institucionet shqiptare në këtë proces.

VanHorn e cilësoi mekanizmin e shqyrtimit të investimeve të huaja si një instrument strategjik që demonstron se Shqipëria është e hapur për biznes, por në të njëjtën kohë mbron interesat kombëtare dhe respekton standardet ndërkombëtare.

“Ky kuadër nuk është thjesht një ushtrim burokratik. Ai është një deklaratë strategjike që tregon se Shqipëria është e hapur për investime, por në mënyrë që garanton mbrojtjen e interesave të saj kombëtare”, u shpreh ajo.

Diplomatja amerikane bëri të ditur se investitorët amerikanë po ndjekin me interes zhvillimet e klimës së biznesit në Shqipëri. Sipas saj, kompani amerikane janë tashmë aktive në sektorë si energjia, ndërtimi dhe teknologjia, ndërsa të tjera po shqyrtojnë mundësitë për të hyrë në tregun shqiptar.

“Investitorët kanë nevojë për siguri se rregullat janë të qarta, se konkurrenca është e ndershme dhe se sektorët strategjikë mbrohen nga aktorë që nuk respektojnë të njëjtat standarde”, tha VanHorn.

Deklaratat e saj vijnë në një moment kur debati për projektet e mëdha turistike në Sazan dhe Zvërnec vijon të dominojë diskursin publik. Një ditë më parë, kryeministri Edi Rama mbrojti investimet e planifikuara, duke argumentuar se ato janë të rëndësishme për zhvillimin ekonomik dhe për tërheqjen e kapitalit të huaj, ndërsa kritikoi fushatat që, sipas tij, dëmtojnë klimën e investimeve dhe imazhin e Shqipërisë.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related