Fatmir Mediu paraqitet në SPAK, zbulohet arsyeja e thirrjes

Data

Ish-ministri i Mbrojtjes, Fatmir Mediu, është paraqitur këtë të mërkurë në ambientet e Gjykatës së Posaçme, në kuadër të seancës së radhës gjyqësore për çështjen e masakrës së Gërdecit.

Prokuroria e Posaçme Antikorrupsion ka depozituar prova të reja në dosjen në ngarkim të Mediut, të cilat do të përdoren në vijimin e procesit gjyqësor. Mes tyre përfshihet edhe një shkresë zyrtare, konkretisht një faks i dërguar nga zyra e ish-ministrit të Drejtësisë drejt Ministrisë së Mbrojtjes, që lidhet me hapjen e fabrikës së demontimit të armëve në Gërdec.

Në këtë dokument, sipas SPAK, figuron një shënim i posaçëm me emrin e Shkëlzen Berishës, djalit të ish-kryeministrit të kohës, çka për prokurorët përbën element të rëndësishëm për hetimin e zinxhirit të vendimmarrjes.

Po ashtu, Prokuroria ka kërkuar që të merret në pyetje edhe Anjola Agolli, ish-sekretare e ministrit të Drejtësisë. Ajo ka dëshmuar më herët për ekzistencën dhe përmbajtjen e dokumentit që autorizonte hapjen e fabrikës së demontimit, ku sipas saj ishte shënuar emri i Shkëlzen Berishës.

Fatmir Mediu akuzohet për shpërdorim detyre, pasi sipas SPAK, gjatë ushtrimit të funksionit të tij janë shkelur procedurat ligjore për ngritjen e fabrikës së demontimit të municioneve, e cila u ndërtua pranë një zone të banuar, në kundërshtim me rregullat e sigurisë.

Ish-ministri i ka mohuar vazhdimisht akuzat, duke kundërshtuar edhe gjetjet e ekspertëve të përfshirë në proces. Gjyqi ndaj tij vijon prej prillit të vitit 2023.

Rihapja e çështjes penale ndaj Mediut u bë pas më shumë se 12 vitesh, me nismën e familjarëve të viktimave të shpërthimit tragjik të 15 marsit 2008 në Gërdec, ku humbën jetën 26 persona dhe qindra të tjerë mbetën të plagosur.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related