Moderatorja e njohur Bora Zemani ka folur për herë të parë hapur për një nga periudhat më të komentuara dhe më të vështira të jetës së saj personale: krizën në marrëdhënien me Donald Veshajn dhe vendimin për të falur.
E ftuar në podcast-in e Grida Dumës, Bora ka zgjedhur të mos fshihet pas frazave diplomatike, por të tregojë qartë procesin emocional që ka kaluar pas ngjarjeve që tronditën publikisht lidhjen e tyre.
E pyetur se në çfarë niveli fal, Bora thekson se falja e saj nuk ka qenë as e verbër dhe as naive. Ajo shprehet se ka qenë plotësisht e vetëdijshme për atë që kishte ndodhur dhe për pasojat që kishte sjellë.
“Unë nuk fal duke u gënjyer. Fal me koshiencë të plotë. E di ku është gabuar, por zgjedh ta fal dhe ta tejkaloj,” – shprehet Bora.
Moderatorja sqaron se falja nuk ka ardhur duke ulur standardet apo duke ndryshuar parimet e saj personale. Përkundrazi, kufijtë kanë mbetur të njëjtë, por ajo ka zgjedhur të mos heqë dorë pa luftuar.
“Nuk i zgjerova kufijtë e mi. Pyetja ishte: a kishte ende një mundësi që kjo marrëdhënie të shpëtohej?” – thotë ajo.
Deklaratat e Borës lidhen drejtpërdrejt me historinë e bujshme të krijuar gjatë “Big Brother VIP 1”, ku Donald Veshaj nisi një romancë me Beatrix Ramosaj, duke kthyer jetën e tij sentimentale në qendër të vëmendjes kombëtare.
Pas përfundimit të formatit, ajo romancë u mbyll, ndërsa Donald kërkoi rikthimin me Borën. Një proces që, sipas vetë moderatores, kërkoi kohë, reflektim dhe një vendim të marrë me pjekuri.
Rrëfimi i Borës vjen si një dëshmi e rrallë e sinqeritetit në botën e showbiz-it, ku falja nuk paraqitet si dobësi, por si një zgjedhje e vështirë dhe e menduar mirë.
