Organizatorët e protestave kanë publikuar një deklaratë drejtuar ambasadave të huaja dhe institucioneve ndërkombëtare, ku shprehin shqetësim për mënyrën se si, sipas tyre, u administrua protesta e 2 korrikut nga Policia e Shtetit.
Në deklaratë, ata dënojnë përdorimin e forcës, duke pretenduar se gjatë tubimit janë përdorur mjete dhe veprime joproporcionale ndaj protestuesve. Sipas organizatorëve, janë raportuar përdorim i gazit lotsjellës, shtyrje dhe goditje të protestuesve, si edhe ushtrim force ndaj personave të neutralizuar.
Grupi Koordinues i referohet edhe monitorimit të Komitetit Shqiptar të Helsinkit, duke theksuar se gjetjet e tij kanë ngritur shqetësime për tejkalim të kompetencave nga ana e Policisë së Shtetit gjatë administrimit të protestës.
Në deklaratë kërkohet:
- Hetim i pavarur, transparent dhe efektiv për çdo rast të dyshuar të përdorimit të paligjshëm të forcës.
- Llogaridhënie për çdo efektiv policie që mund të ketë shkelur ligjin.
- Lirimi i protestuesve të arrestuar, të cilët organizatorët i konsiderojnë të ndaluar për ushtrimin e të drejtës kushtetuese për protestë paqësore.
- Shpjegime publike lidhur me kontrollet e raportuara ndaj qytetarëve në pikat kufitare, të cilat, sipas tyre, mund të jenë përdorur si formë presioni për të penguar pjesëmarrjen në protesta.
Organizatorët i bëjnë thirrje Policisë së Shtetit që gjatë protestave të ardhshme të garantojë sigurinë dhe mbarëvajtjen e tubimeve, duke shmangur çdo veprim që mund të çojë në përshkallëzim të situatës.
Njëkohësisht, ata u kërkojnë qytetarëve që t’i ruajnë protestat paqësore dhe të mos bien pre e provokimeve, duke theksuar se çdo akt dhune do të dëmtonte kauzën e tyre.
Në fund të deklaratës, Grupi Koordinues përsërit kërkesën për lirimin e protestuesve të arrestuar dhe fton qytetarët t’u bashkohen protestave të radhës në mënyrë paqësore, në mbështetje të kërkesave të tyre për demokraci, shtet të së drejtës dhe llogaridhënie institucionale.
