Zjarre të mëdha në Francë, Spanjë dhe Portugali, dhjetëra mijëra hektarë të përfshirë nga flakët

Data

Temperaturat ekstreme, erërat e forta dhe thatësira po favorizojnë përhapjen e zjarreve të mëdha pyjore në Evropën Jugore, ku Franca, Spanja dhe Portugalia po përballen me një nga fillimet më të vështira të sezonit të zjarreve.

Francë: Mbi 13 mijë hektarë të djegur

Në jug të Francës, në departamentin Pyrénées-Orientales, një zjarr i madh i shpërthyer pranë malit Canigou ka përfshirë rreth 13,500 hektarë tokë.

Flakët u përhapën me shpejtësi për shkak të erërave të forta veriperëndimore dhe temperaturave të larta, duke detyruar qindra banorë të evakuohen gjatë natës.

“Rreth orës 22:30 pamë tymin dhe më pas zjarri u përhap me shpejtësi. Në orën 01:00 një përfaqësues i bashkisë trokiti në derën tonë dhe na kërkoi të largoheshim menjëherë. Zjarrfikësit ishin kudo dhe era e djegies ishte mbytëse”, tregoi një banore e Ille-sur-Têt.

Rreth 700 zjarrfikës, të mbështetur nga avionë dhe helikopterë, vijojnë operacionet për izolimin e flakëve.

Rajoni është vendosur në nivelin portokalli të alarmit për rrezik zjarresh, ndërsa temperaturat pritet të arrijnë deri në 40 gradë Celsius.

Ministri i Brendshëm francez, Laurent Nuñez, deklaroi se sezoni i zjarreve këtë vit ka nisur rreth një muaj më herët se zakonisht, duke theksuar se shumica e zjarreve shkaktohen nga aktiviteti njerëzor, ndërsa përhapja e tyre favorizohet nga kushtet ekstreme atmosferike.

Spanjë: Zjarri pranë Costa Brava nën kontroll

Në Spanjë, autoritetet kanë vënë nën kontroll një zjarr të madh pranë zonës turistike të Costa Brava, i cili ka djegur rreth 22,000 hektarë.

Megjithëse situata është stabilizuar, ekipet zjarrfikëse vijojnë monitorimin e zonës për shkak të vatrave të izoluara që vazhdojnë të nxjerrin tym.

Kufizimet e lëvizjes janë hequr në rreth dhjetë komunitete pranë La Bisbal d’Empordà, afër Gironës, duke u mundësuar banorëve rikthimin në banesat e tyre.

Sipas hetimeve paraprake, zjarri dyshohet të jetë shkaktuar nga neglizhenca, ndërsa një person është arrestuar.

Portugali: Përmirësohet situata

Në veri të Portugalisë, në zonën e Vouzelës, distrikti i Viseut, një zjarr pyjor që ka qenë aktiv prej tre ditësh ka përfshirë rreth 130,000 hektarë bimësi.

Autoritetet portugeze bëjnë të ditur se rreth 80 për qind e zjarrit tashmë është vënë nën kontroll, ndërsa operacionet për shuarjen e plotë të flakëve vazhdojnë.

Verë me rrezik të lartë

Zjarret në Francë, Spanjë dhe Portugali po nxjerrin në pah ndikimin e valëve të të nxehtit dhe thatësirës në rritjen e rrezikut të zjarreve pyjore.

Autoritetet paralajmërojnë se, me temperaturat që pritet të mbeten shumë të larta gjatë javëve në vijim, sezoni i kësaj vere mund të jetë ndër më të vështirët të viteve të fundit për vendet e Evropës Jugore.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related