Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka reaguar pas protestës së zhvilluar mbrëmjen e së shtunës në Tiranë, duke përgëzuar pjesëmarrësit dhe duke e cilësuar tubimin si një moment me rëndësi të veçantë politike.
Përmes një videomesazhi, Berisha krahasoi protestën me ngjarjet e 20 shkurtit 1991, duke deklaruar se qytetarët, përmes simbolikës së përdorur gjatë tubimit, i organizuan kryeministrit Edi Rama “funeralin politik”.
Sipas kreut të PD-së, protesta dëshmoi pakënaqësinë qytetare ndaj qeverisë dhe përfaqësoi një kërkesë të qartë për ndryshim politik.
Berisha i bëri thirrje kryeministrit Rama të japë dorëheqjen dhe kërkoi plotësimin e kërkesave të protestuesve, të cilat, sipas tij, përkojnë edhe me qëndrimet e Partisë Demokratike.
Në deklaratën e tij, ai shprehu mbështetjen e PD-së për protestat qytetare dhe falënderoi të gjithë ata që morën pjesë në tubim.
Kreu i opozitës kërkoi gjithashtu lirimin e protestuesve të arrestuar gjatë ditëve të fundit dhe i bëri thirrje qeverisë të shmangë përdorimin e dhunës.
“Mos harro se, në përballje me popullin, fuqia i takon popullit”, u shpreh Berisha në fund të mesazhit të tij.
