Ish-presidenti Donald Trump dje nuk tha nëse ai kishte folur me presidentin rus Vladimir Putin që nga largimi i detyrës në vitin 2021, por tha: “Nëse e kam bërë, është një gjë e zgjuar”. Trump më parë mohoi çfarë ishte shkruar në librin e ri të gazetarit Bob Woodward. Woodward ka zbuluar në këtë botim se në pikun e pandemisë në 2020-ë, i dërgoi Rusisë në fshehtësi pajisje testuese dhe teste për Covid-19, me qëllim që ato të ishin në dispozicion personal të Vladimir Putin. Kjo sipas gazetarit Woodward u bë në një moment kur ato ishin të pakta dhe nevoja për to ishte e lartë në SHBA. Gjithashtu Trump sipas botimit të gazetarit të famshëm të skandalit Watergate, mbajti kontakte të rregullta telefonike me Vladimir Putin edhe pasi u largua nga zyra, madje deri vonë në 2024.
Ai tha për Newsmax se ishte “absolutisht e gabuar”. Por të martën në një intervistë në Klubin Ekonomik të Çikagos me Bloomberg, Trump tha se nuk do të komentonte nëse kishte folur me Putinin, por se do të kishte qenë një “gjë e zgjuar” nëse do të kishte folur. Trump u pyet: “A mund të thoni po apo jo nëse keni biseduar me Vladimir Putin që kur nuk jeni president?” “Epo, unë nuk e komentoj këtë, por do t’ju them se nëse e bëja, është një gjë e zgjuar”, tha Trump. “Nëse jam miqësor me njerëzit, nëse kam një marrëdhënie me njerëzit, kjo është një gjë e mirë, jo një gjë e keqe, për sa i përket vendit”, tha ai. Trump shtoi: “Rusia nuk ka pasur kurrë një president që ata e respektojnë kaq shumë”. Ish-presidenti ka një histori të gjatë të lavdërimit të Putinit dhe madje shkoi deri në anën e liderit rus mbi komunitetin e inteligjencës amerikane për ndërhyrjen ruse në zgjedhjet presidenciale të 2016-ës.
