“Na thanë ikni se do vijnë të tjerë” – Lapaj: Policia ndërhyri për herë të katërt për të na larguar nga sheshi

Data

Kreu i Lëvizjes “Shqipëria Bëhet”, Adriatik Lapaj, ka deklaruar se ai dhe mbështetësit e tij janë larguar me forcë nga sheshi përpara Kryeministrisë nga Policia e Shtetit, gjatë ditës së shtatë të protestës së tyre.

Në një prononcim për Panorama Online, Lapaj tha se kjo është hera e katërt brenda një jave që Policia ndërhyn për të shpërndarë protestën, të cilën ai e cilësoi si paqësore dhe me mesazh qytetar.

“Sot është dita e shtatë që jemi në shesh dhe për herë të katërt Policia e Shtetit është sulur dhunshëm mbi një protestë që ka qenë nga më paqësoret dhe më qytetaret në gjithë tranzicionin shqiptar”, u shpreh Lapaj.

Sipas tij, protestuesve u është penguar vazhdimisht qëndrimi normal në shesh, duke mos u lejuar vendosja e çadrave për shkak të të ftohtit, përdorimi i gjeneratorëve për energji elektrike, si dhe sigurimi i kushteve minimale për një protestë të vazhdueshme.

Lapaj theksoi se ndërhyrja e fundit është justifikuar nga Policia me argumentin se sheshi duhet të lirohet, pasi do të zhvillohej një tjetër protestë.

“Na thanë se duhet të ikni sepse do vijë dikush tjetër të protestojë. Kjo nuk funksionon kështu. Në një shtet demokratik, kushdo ka të drejtë të protestojë pa i mohuar të drejtën dikujt tjetër”, deklaroi ai.

Kreu i “Shqipëria Bëhet” shtoi se sipas tij po aplikohet standard i dyfishtë, duke pretenduar se për protesta të tjera në të njëjtin shesh lejohen mjete dhe pajisje që atyre u ndalohen.

Ai akuzoi qeverinë dhe kryeministrin Edi Rama për krijim të qëllimshëm të përçarjeve dhe tensioneve mes protestuesve, duke e cilësuar këtë si një strategji për ruajtjen e pushtetit.

Në fund të deklaratës së tij, Lapaj u bëri thirrje qytetarëve që t’i bashkohen protestës çdo ditë në orën 18:00, duke ftuar këdo që të vijë me mjete simbolike dhe të qëndrojë në shesh si shenjë kundërshtie ndaj asaj që ai e quan regjim autokratik.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related