Kryeministri Edi Rama vizitoi sot fermën eksperimentale në Cërrik, pjesë e shkollës profesionale “Mihal Shahini”, një investim i realizuar me mbështetjen e agjencisë izraelite MASHAV.
Gjatë fjalës së tij, Rama vlerësoi partneritetin me Izrael dhe theksoi rëndësinë e inovacionit në zhvillimin e bujqësisë shqiptare. Ai e krahasoi këtë bashkëpunim me partneritetin strategjik mes UBT dhe universitetit BOKU University.
Sipas Ramës, Shqipëria pret të firmosë së shpejti një marrëveshje të re me qeverinë izraelite për të përfituar më shumë dije dhe eksperiencë në fusha të ndryshme, veçanërisht në bujqësi dhe teknologji.
“Presim me padurim të firmosim një marrëveshje me shtetin e Izraelit për të hapur një kapitull në këtë marrëdhënie, për të marrë sa më shumë dije dhe për të transferuar në Shqipëri sa më shumë eksperiencë në atë që e ka bërë atë vend pararojë në të gjitha fushat”, deklaroi Rama.
Kreu i qeverisë vlerësoi gjithashtu zhvillimin e fermës eksperimentale në Cërrik, duke theksuar se aty zhvillohen eksperimente me kultura të ndryshme bujqësore dhe aktivitete praktike me bagëti për nxënësit dhe pedagogët.
Ai nënvizoi se Izraeli është një shembull i rëndësishëm për mënyrën sesi inovacioni dhe teknologjia mund të transformojnë bujqësinë edhe në kushte të vështira natyrore.
“Izraeli e nisi ngritjen e bujqësisë në shkretëtirë, pa pasur ujë. Sot është një pasqyrë shembullore se çfarë mund të bëjë mendja e njeriut përballë kushteve të pafavorshme”, u shpreh Rama.
Kryeministri përmendi edhe rritjen e interesit të studentëve për programet e Universitetit Bujqësor të Tiranës, duke e konsideruar këtë si një tregues pozitiv për të ardhmen e sektorit bujqësor dhe profesional në vend.
