Kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, ka bërë akuza të rënda ndaj zv/kryeministres Belinda Balluku, duke e cilësuar emrin e saj si sinonim të korrupsionit dhe abuzimit me pushtetin.
Ai theksoi se në çdo rast të rëndësishëm, firma e Ballukut ngre dyshime për shpërdorimin e parave publike dhe përfitim personal nëpërmjet një skenari të paracaktuar.
Bardhi u ndal te afera e termocentraleve lëvizës “Tigri 1” dhe “Tigri 3”, të cilat, sipas tij, u sollën me urgjencë nga fundi i botës për një krizë energjitike imagjinare të shpallur nga Kryeministri Edi Rama disa muaj para fillimit të luftës në Ukrainë, që solli pasiguri globale dhe rritje çmimesh në tregun e energjisë. Ai theksoi se as në atë kohë, këto termocentrale nuk u aktivizuan, duke provuar se qëllimi ishte shpërdorimi i 80 milion eurove dhe jo furnizimi me energji elektrike.
