Kryetari i degës së Partisë Demokratike në Sukth, Osman Stafa, gjatë “Foltores” së zhvilluar këtë të mërkurë në Sukth, bëri thirrje për pjesëmarrje masive në protestën kombëtare të 20 shkurtit, duke e cilësuar atë si moment vendimtar për rrëzimin e qeverisë së Edi Ramës.
Në fjalën e tij, Stafa e cilësoi qeverinë aktuale si “diktaturë kriminale” dhe tha se vendi po përjeton një situatë të ngjashme me periudhën e regjimit komunist. Ai solli në vëmendje përvojën e tij si pjesë e lëvizjes studentore të viteve ’90, duke theksuar se diktaturat, sipas tij, kanë të njëjtën formë dhe kërkojnë rezistencë.
Stafa akuzoi kryeministrin për presion dhe shantazh ndaj qytetarëve, duke përmendur edhe një incident në Durrës, ku sipas tij, një qytetar u shoqërua nga policia pas një reagimi publik ndaj Ramës.
Ai ngriti gjithashtu shqetësimin për mungesën e investimeve në zonën e Sukthit, Ishmit dhe Manzës, si dhe për mënyrën e shpërndarjes së ndihmave për të prekurit nga tërmeti dhe përmbytjet, që sipas tij, kanë favorizuar njerëz pranë pushtetit.
Në fund të fjalës, Stafa theksoi se 20 shkurti është një datë vendimtare jo vetëm për demokratët, por për të gjithë vendin.
“Ky regjim nuk rrëzohet nga kafeneja apo nga shtëpia. Rrëzohet duke u bërë pjesë, duke vërshuar të gjithë bashkë në shesh”, u shpreh ai, duke apeluar për mobilizim maksimal në protestën e paralajmëruar në Tiranë.
