Prokuroria e Fierit ka përfunduar hetimet dhe ka dërguar për gjykim ish-drejtorin dhe gjashtë zyrtarë të Agjencisë Rajonale të Mjedisit Fier/Vlorë/Gjirokastër, të akuzuar për “Shpërdorim detyre” në bashkëpunim.
Sipas organit të akuzës, të pandehurit kanë miratuar dhe refuzuar leje mjedisore të tipit “C” në shkelje të hapur të ligjit, pa kryer verifikime në terren dhe, në disa raste, edhe pa dokumentacionin e detyrueshëm. Hetimet tregojnë se vendimmarrja ka qenë selektive, duke favorizuar disa subjekte dhe penalizuar të tjera pa bazë ligjore.
Në qendër të dosjes është Arben Voja, ish-drejtor i Drejtorisë Rajonale të Mjedisit Fier, aktualisht Drejtor i Spitalit Rajonal Fier. Së bashku me specialistët e agjencisë, ai dyshohet se ka shpërfillur rekomandimet e Kontrollit të Lartë të Shtetit dhe auditimet e Ministrisë së Mjedisit.
Prokuroria evidenton gjithashtu se dhjetëra subjekte të pajisura me leje mjedisore nuk kanë dorëzuar raportet e vetëmonitorimit, ndërsa agjencia nuk ka ndërmarrë asnjë masë për pezullim apo revokim të lejeve, siç e parashikon ligji.
Një tjetër shkelje e rëndë lidhet me mosvjeljen e tarifave vjetore të lejeve mjedisore, duke i shkaktuar buxhetit të shtetit një dëm prej mbi 3 milionë lekësh për vitet 2017–2019:
•2017: 424 subjekte – 848 mijë lekë
•2018: 421 subjekte – 842 mijë lekë
•2019: 702 subjekte – 1.4 milionë lekë
Në përfundim, Prokuroria ka ngritur akuzë dhe ka dërguar për gjykim:
•Ish-drejtorin e Mjedisit Fier
•Katër specialistë për leje mjedisore dhe VNM
•Një specialiste monitorimi
•Një specialist finance
Prokuroria e Fierit thekson se do të vijojë ndëshkimin e çdo punonjësi shtetëror që shkel ligjin dhe dëmton interesin publik, veçanërisht në çështje që prekin mjedisin dhe financat publike.
