Punonjësit e Bankers Petroleum në protestë për pagat/ Deputeti i PD: Po mashtrohen nga kompania, institucionet të ndërhyjnë urgjent

Data

Punonjësit dhe nënkontraktorët e kompanisë Bankers Petroleum në zonën e Patos-Marinzës kanë dalë në protestë për shkak të vonesave në pagesën e pagave, duke kërkuar ndërhyrjen e menjëhershme të institucioneve shtetërore.

Deputeti i Partisë Demokratike, Luan Baçi, ka publikuar në rrjetet sociale pamje nga protesta dhe ka akuzuar drejtuesit aktualë të kompanisë për mashtrim ndaj punonjësve. Sipas tij, paga e muajit nëntor nuk është shlyer për të gjithë nënkontraktorët që operojnë në fushën naftëmbajtëse të Marinzës.

“Kompania vazhdon t’i mashtrojë punonjësit për pagesat, ndërkohë që fusha operon me kapacitet të plotë dhe depot e rezervave janë të mbushura. Ekziston rreziku që aktiviteti të ndalet dhe shfrytëzuesit e pasurisë kombëtare të largohen fshehurazi”, shprehet Baçi në reagimin e tij.

Deputeti thekson se drejtuesit aktualë të kompanisë, pasardhës të administrimit të mëparshëm, po shmangin përgjegjësitë ndaj punonjësve, ndërsa kërkon ndërhyrje urgjente nga institucionet përkatëse për garantimin e pagave dhe të drejtave të punëtorëve.

Protesta vjen në një moment kur Bankers Petroleum ndodhet nën presion të shtuar institucional. Më herët, kompania deklaroi se aktiviteti i saj prodhues dhe financiar në Patos-Marinzë është bllokuar me urdhër të Drejtorisë së Përgjithshme të Doganave, një vendim që sipas saj është arbitrar dhe rrezikon funksionimin e fushës naftëmbajtëse.

Ndërkohë, disa muaj më parë, Prokuroria e Fierit ndërmori një aksion ndaj kompanisë, duke lëshuar 14 masa sigurie. Bankers Petroleum akuzohet se për rreth 20 vite ka deklaruar humbje financiare, duke shmangur pagesën e taksave dhe duke përfituar rimbursime të paligjshme të TVSH-së në vlera milionëshe.

Në kuadër të këtij hetimi, u arrestuan ish-drejtori i kompanisë Leonidha Çobo dhe drejtori aktual i përgjithshëm Hongping Xiao.

Deputeti Baçi i bën thirrje institucioneve shtetërore që të veprojnë pa vonesë për të mbrojtur interesat e punonjësve dhe për të garantuar respektimin e ligjit dhe të pasurisë publike.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related