Një ngjarje e rëndë familjare është regjistruar në fshatin Ostren të Bulqizës, ku një baba ka plagosur me thikë djalin e tij pas një konflikti të çastit.
Sipas informacionit paraprak, shtetasi B.N., 58 vjeç, ka goditur me mjet prerës djalin e tij, K.N., 29 vjeç, brenda banesës. Konflikti dyshohet se ka ndodhur për motive të dobëta.
Menjëherë pas njoftimit, shërbimet e Komisariatit të Policisë Bulqizë kanë ndërhyrë në kohë, duke parandaluar përshkallëzimin e mëtejshëm të situatës. Autori i dyshuar u arrestua në flagrancë, ndërsa u sekuestrua edhe mjeti prerës i përdorur në ngjarje.
I plagosuri është transportuar në spital dhe ndodhet nën kujdesin e mjekëve, jashtë rrezikut për jetën.
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Dibër për veprime të mëtejshme ligjore.
