Zyra Evropiane Kundër Mashtrimit, e njohur zakonisht si OLAF, ka zbardhur mashtrimin me fondet e programit IPARD në Shqipëri, një skandal që shpërtheu një vit më pare, ku është përfshirë drejtpërdrejt, ish-ministrja e Bujqësisë Frida Krifca dhe zyrtarë të tjerë të lartë të AZHBR. OLAF është një organ i mandatuar nga Bashkimi Evropian (BE) për mbrojtjen e interesave financiare të vendeve të unionit dhe u vu në lëvizje nga një denoncim i dërguar nga Shqipëria, ku tregohej skema e vjedhjes së fondeve për bujqësinë dhe dhënia e tyre personave me pushtet, ose të lidhur me qeverinë.
Raporti
Në faqen zyrtare të këtij institucioni të BE është publikuar një pjesë e raportit për abuzimin me fondet. OLAF sqaron se aplikantët për IPARD II ishin të detyruar të paguanin një përqindje të madhe të grantit të tyre për kompanitë konsulente të “përzgjedhura paraprakisht”, të cilat më pas do të lehtësonin kontratat me Agjencinë Shqiptare për Zhvillimin Rural dhe Bujqësinë (AZHBR), e cila shpërndante fondet. Pas një sërë hapash komplekse hetimore, përfshirë kërkimet mjeko-ligjore dixhitale të dokumenteve të lidhura me marrësit e IPARD II, AZHBR dhe operatorë të tjerë ekonomikë, OLAF zbuloi disa parregullsi serioze gjatë fazës së dhënies së granteve dhe zbatimit të disa projekteve. Këto parregullsi përfshinin: – Aplikantëve u kërkohet të paguajnë një pjesë të konsiderueshme të grantit të tyre një kompanie konsulence lokale; – Kontratat që jepen pa konkurrencë, ose përmes një konkursi të manipuluar (me oferta false që dorëzohen); – Çmime të fryra dhe shkelje të rregullave kontraktuale. Pas hetimit të saj, OLAF rekomandoi që Komisioni Evropian të konsiderojë një pjesë të financimit të Thirrjes së Parë dhe të Dytë për Aplikime IPARD II prej 33 milionë euro, si të papërshtatshme. Programi u krijua për të ndihmuar në modernizimin e sektorit bujqësor shqiptar në përputhje me standardet e BE-së dhe arritjen e progresit drejt anëtarësimit në BE .
Bllokohet IPARD III
OLAF rekomandoi më tej që BE të parandalojë 112 milionë euro të financimit të ardhshëm (IPARD III) për Shqipërinë nga shpenzimet e panevojshme, derisa të vendosen masa korrigjuese për të mbrojtur interesat financiare të BE-së nga çdo aktivitet i paligjshëm. Zyra Evropiane Kundër Mashtrimit ka hetuar akuza serioze që përfshinin keqpërdorimin e fondeve të BE-së nga Instrumenti për Asistencën e Para-Aderimit për Zhvillimin Rural (IPARD II) në Shqipëri. Nisur nga aktivitetet e mundshme kriminale të zbuluara gjatë hetimit, OLAF i dërgoi edhe një kopje të gjetjeve të saj autoriteteve gjyqësore të Shqipërisë.
Frida Krifca drejt prangave
Gazeta raportoi pak ditë më parë se ish-ministrja e parë që rrezikohet është Frida Krifca. Teksa në SPAK është kërkuar informacion nëse është regjistruar procedim penal për Krifcën dhe për çfarë vepre penale, Prokuroria e Posaçme ka dhënë përgjigjen se po vazhdojnë të hetojnë abuzimet me fondet e IPARD nga AZHBR. “Në vijim të komunikimit, si dhe në përgjigje të kërkesës tuaj për informacion, ju bëjmë me dije se Prokuroria e Posaçme po kryen hetime në lidhje me shpërndarjen e fondeve të programit IPARD nga AZHBR. Procedimi penal në fjalë është ende në fazën e hetimeve paraprake. Bazuar në nenin 279/1 të Kodit të Procedurës Penale, aktet hetimore dhe përmbajtja e tyre përbëjnë sekret hetimor”, thuhet nga SPAK.
Raporti i KLSH
Abuzimet e AZHBR i konstatoi në vitin 2019 dhe KLSH. Në raportin e tyre thuhej se në Agjencinë e Zhvillimit Bujqësor Rural, ish-drejtoresha Frida Krifca, ka bërë abuzime të shumta financiare në buxhetin administrativ e grande bujqësore të fermerëve. Ka mbajtur të fshehtë, zhdukjen e kontratave për investime rikonstruksione zyrash rajonale të AZHBR, me vlera mbi 200 milionë lekë, si dhe zhdukja e kontratës 135 milionë lekë, me objekt “Studimi i mizës së ullirit”; për të cilën është kërkuar ndjekje penale. Në shkelje të ligjit, me urdhër personal si drejtore e AZHBR, Frida Krifca ka përdorur 25% të fondit të grandeve bujqësore e blegtorale, për reklama mashtruese ndaj donatorevë e fermerëve. Shkelje e rëndë është mos-veprimi për 2 miliardë lekë të reja kredi të dhëna e të pashlyera, duke i cilësuar “humbje pa kthim”, kur bizneset janë aktive e me pasuri të shumta; ndërkohë që këto vlera nuk i kanë përdorur për biznese agro-bujqësore. Paçka se ligji e përcakton, që grandet jepen vetëm për fermerët, rezulton se 70% e vlerës është marrë nga biznesmenë ndërtimi e transportesh, madje dhe nga ndërtues kullash. KLSH ka konstatuar, se në gjykatë janë bërë 30 akt-padi për debitorët, mirëpo me urdhër të ish-drejtoreshës Frida Krifca, atyre u është kërkuar vetëm zgjidhja e kontratës dhe jo kthimi i milionave që u janë dhënë, ndërsa më pas AZHBR është tërhequr nga akt-paditë. Në raport, thuhet se në llogarinë e Agjencisë Zhvillimit Bujqësor Rural për vitet 2017-2018, mungojnë 2.1 milionë Euro interesa grandesh, për të cilat nuk ka dokumentacion.
