“Edi Rama vendos që pronat…”/ Denoncimi i PD: Ergys Agasi do ndërtojë kompleksin te Eco-Parku, u bë ortak pak para tenderit 10 mln euro

Data

Partia Demokratike ka ngritur akuza të reja ndaj qeverisë Rama dhe ndaj Ergys Agasit, person i shpallur në kërkim nga SPAK, lidhur me ndërtimin e një kompleksi sportiv në zonën e Eco-Parkut në Durrës.

Në një dalje për mediat, zëdhënësja e Antikorrupsionit në PD, Genta Vangjeli, deklaroi se Ergys Agasi është përfshirë drejtpërdrejt në projektin për ndërtimin e kompleksit të Akademisë së Futbollit në Spitallë, në të njëjtën zonë ku ndodhet Eco-Parku, për të cilin janë shpenzuar më herët 19 milionë euro.

Sipas denoncimit, më 26 prill 2023 u nënshkrua një marrëveshje bashkëpunimi mes Manchester City Football Club Ltd, Eagle Hills Properties LLC, Ministrisë së Arsimit dhe Sportit dhe Bashkisë së Durrësit, për krijimin e një akademie elitare futbolli në qytetin e Durrësit. Në qershor 2023 u përgatit edhe projekti arkitekturor i kampusit nga studio “Marco Casamonti and Partners”.

Më 28 korrik 2023, Ministria e Arsimit dhe Sportit miratoi urdhrin për krijimin e fondacionit “Dyrrah City Football Academy”, ndërsa më 11 tetor 2023, me Vendim të Këshillit të Ministrave nr. 580, u vendos që mbi 200 mijë metra katrorë prona shtetërore në zonën kadastrale nr. 8517, Bashkia Durrës, të përdoren për ndërtimin e kompleksit.

PD thekson se kjo zonë është e njëjta ku ndodhet Eco-Parku, një projekt i kontestuar publikisht dhe nën hetim, pa një vendimmarrje përfundimtare.

Më 2 shkurt 2024, fondacioni shpalli thirrjen për zgjedhjen e subjektit që do të financonte ndërtimin e kompleksit me vlerë 10 milionë euro. Fitues u shpall më 24 prill 2024 “Futboll Club Dinamo City” sh.a., subjekti i vetëm që paraqiti ofertë.

Sipas dokumenteve të bëra publike nga PD, pak ditë para shpalljes së fituesit, konkretisht më 31 mars 2024, Ergys Agasi bleu 30% të aksioneve të këtij klubi kundrejt vlerës 220 mijë euro, fakt që sipas opozitës ngre dyshime të forta për konflikt interesi dhe favorizim.

Partia Demokratike kërkon transparencë të plotë dhe hetim të menjëhershëm për këtë çështje, duke e cilësuar rastin si një tjetër skandal të lidhur me përdorimin e pronave publike dhe fondet e mëdha nën qeverisjen Rama.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related