Zëdhënësja e Antikorrupsionit në Partinë Demokratike, Genta Vangjeli, ka dalë në një deklaratë për mediat ku ka hedhur akuza ndaj qeverisë “Rama” dhe ndaj Ergys Agasit, i shpallur në kërkim nga SPAK.
Sipas Vangjelit, Agasi lidhet me një projekt të ri në zonën e Spitallës, tek Eco-Parku, ku pretendohet se do të ndërtohet kompleksi i Akademisë së Futbollit në Durrës. Ajo thekson se Agasi u bë ortak në një klub futbolli vetëm pak ditë para se ky klub të shpallej fitues i projektit me vlerë 10 milionë euro.
Kronologjia e zhvillimeve sipas denoncimit
• 26 prill 2023 – Nënshkruhet marrëveshje bashkëpunimi mes Manchester City Football Club, Eagle Hills Properties, Ministrisë së Arsimit dhe Sportit dhe Bashkisë së Durrësit, për krijimin e një partneriteti futbolli, shkollë futbolli dhe Akademi Elite.
• Qershor 2023 – Përgatitet projekt-ideja arkitekturore e kampusit të akademisë “Dyrrah City Football Academy” nga studio “Marco Casamonti and Partners”.
• 28 korrik 2023 – Miratohet urdhri i MAS nr. 422 për krijimin e fondacionit “Dyrrah City Football Academy”.
• 11 tetor 2023 – Me VKM nr. 580 vendoset që prona shtetërore mbi 200 mijë m² në zonën kadastrale 8517 (Spitallë, Durrës) të përdoret për ndërtimin e kompleksit të Akademisë së Futbollit.
Akuza: E njëjta zonë me Eco-Parkun
Vangjeli nënvizon se kjo është e njëjta zonë kadastrale 8517 ku ndodhet edhe Eco-Parku, ku sipas saj janë shpenzuar 19 milionë euro për mbylljen e venddepozitimit të mbetjeve, ndërsa çështja pretendohet se është nën hetim, por pa vendimmarrje konkrete.
Tenderi 10 mln € dhe “ortakëria” e Agasit
• 2 shkurt 2024 – Fondacioni hap ftesën për propozim për zgjedhjen e klubit që do të financojë ndërtimin e kompleksit me vlerë 10 milionë euro, me afat ndërtimi 24 muaj.
Në këmbim, klubi fitues do të kishte të drejta mbi lojtarët e akademisë për 120 muaj.
• 31 mars 2024 – Sipas denoncimit, Ergys Agasi blen 30% të aksioneve të “Futboll Club Dinamo City” kundrejt 220 mijë eurove.
• 24 prill 2024 – Fondacioni shpall fitues propozimin e vetëm të paraqitur, nga “Futboll Club Dinamo City” sh.a.
Sipas deklaratës, fakti që Agasi u bë ortak pak para shpalljes së fituesit ngre dyshime të forta për mënyrën se si po zhvillohen këto projekte dhe lidhjet mes politikës, biznesit dhe projekteve publike.
