Organizatorët e protestës: Policia tejkaloi kompetencat, letër ambasadave të huaja për ngjarjet e 2 korrikut

Data

Organizatorët e protestave kanë publikuar një deklaratë drejtuar ambasadave të huaja dhe institucioneve ndërkombëtare, ku shprehin shqetësim për mënyrën se si, sipas tyre, u administrua protesta e 2 korrikut nga Policia e Shtetit.

Në deklaratë, ata dënojnë përdorimin e forcës, duke pretenduar se gjatë tubimit janë përdorur mjete dhe veprime joproporcionale ndaj protestuesve. Sipas organizatorëve, janë raportuar përdorim i gazit lotsjellës, shtyrje dhe goditje të protestuesve, si edhe ushtrim force ndaj personave të neutralizuar.

Grupi Koordinues i referohet edhe monitorimit të Komitetit Shqiptar të Helsinkit, duke theksuar se gjetjet e tij kanë ngritur shqetësime për tejkalim të kompetencave nga ana e Policisë së Shtetit gjatë administrimit të protestës.

Në deklaratë kërkohet:

  • Hetim i pavarur, transparent dhe efektiv për çdo rast të dyshuar të përdorimit të paligjshëm të forcës.
  • Llogaridhënie për çdo efektiv policie që mund të ketë shkelur ligjin.
  • Lirimi i protestuesve të arrestuar, të cilët organizatorët i konsiderojnë të ndaluar për ushtrimin e të drejtës kushtetuese për protestë paqësore.
  • Shpjegime publike lidhur me kontrollet e raportuara ndaj qytetarëve në pikat kufitare, të cilat, sipas tyre, mund të jenë përdorur si formë presioni për të penguar pjesëmarrjen në protesta.

Organizatorët i bëjnë thirrje Policisë së Shtetit që gjatë protestave të ardhshme të garantojë sigurinë dhe mbarëvajtjen e tubimeve, duke shmangur çdo veprim që mund të çojë në përshkallëzim të situatës.

Njëkohësisht, ata u kërkojnë qytetarëve që t’i ruajnë protestat paqësore dhe të mos bien pre e provokimeve, duke theksuar se çdo akt dhune do të dëmtonte kauzën e tyre.

Në fund të deklaratës, Grupi Koordinues përsërit kërkesën për lirimin e protestuesve të arrestuar dhe fton qytetarët t’u bashkohen protestave të radhës në mënyrë paqësore, në mbështetje të kërkesave të tyre për demokraci, shtet të së drejtës dhe llogaridhënie institucionale.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related