Edi Rama ka njoftuar krijimin e një strukture të re publike në fushën e teknologjisë dhe sistemeve digjitale shtetërore, e quajtur Albanian Digital Solutions, e cila do të funksionojë paralelisht me AKSHI.
Gjatë një konference për shtyp, Rama deklaroi se AKSHI “nuk do të jetë më i vetëm”, ndërsa shpjegoi se kompania e re do të jetë 100% shtetërore dhe do të ketë rol operacional në zhvillimin dhe mirëmbajtjen e sistemeve digjitale të administratës publike.
“AKSHI nuk është më i vetëm, do të funksionojë i ndarë me një shoqëri të re publike ‘Albanian Digital Solutions’, e cila do të jetë 100% shtetërore”, u shpreh kryeministri.
Shoqëria e re është themeluar me vendim të Këshillit të Ministrave më 14 prill 2026 dhe ka një kapital fillestar prej 700 milionë lekësh, ose rreth 7 milionë euro, fond i siguruar nga buxheti i miratuar për AKSHI-n për vitin 2026.
Sipas dokumenteve zyrtare, aksioneri i vetëm i kompanisë është vetë AKSHI, ndërsa administrator i saj është emëruar Saimir Kapllani.
Objekti i aktivitetit të Albanian Digital Solutions përfshin zhvillimin, operimin dhe mirëmbajtjen teknike të sistemeve dhe shërbimeve digjitale shtetërore, ndërsa AKSHI pritet të fokusohet më shumë në rolin strategjik dhe mbikëqyrës.
Ndryshimet ligjore në kuadrin e qeverisjes elektronike i japin tashmë AKSHI-t të drejtën të krijojë ose të marrë pjesë në shoqëri teknologjike të posaçme që veprojnë si operatorë TIK për zbatimin e projekteve digjitale.
Kryeministri tha se synimi është që struktura e re të kthehet në një aktor kryesor në tregun teknologjik shqiptar dhe të përshpejtojë transformimin digjital të shtetit.
“Kjo agjenci duhet të bëhet një forcë udhëheqëse në tregun e teknologjisë dhe njëkohësisht forca që shtyn agjendën e transformimit digjital të shtetit”, deklaroi Rama.
Krijimi i kompanisë së re vjen në një moment kur AKSHI ndodhet në qendër të hetimeve të SPAK për tendera dhe procedura të dyshuara abuzive.
Sipas hetimeve, janë sekuestruar pasuri me vlerë rreth 40 milionë euro të lidhura me zyrtarë të AKSHI-t dhe biznesmenë të dyshuar për manipulim të tenderëve publikë.
Prokuroria pretendon se një grup i strukturuar kriminal ka favorizuar kompani të caktuara përmes kritereve të paligjshme dhe presioneve ndaj operatorëve të tjerë ekonomikë.
Në muajt e fundit, qytetarë dhe biznese kanë raportuar gjithashtu probleme me aksesin në platformën e-Albania, e cila menaxhohet nga AKSHI.
Ndërkohë, kritikët e qeverisë e interpretojnë krijimin e strukturës së re si një përpjekje për të distancuar politikisht qeverinë nga problematikat dhe hetimet që kanë përfshirë AKSHI-n.
