Një javë pas sulmit terrorist që tronditi Australinë, plazhi i famshëm Bondi në Sydney u shndërrua në vend përkujtimi për 15 viktimat e vrara dhe dhjetëra të plagosur në një sulm me armë zjarri gjatë një festivali hebraik Hanukkah.
Ceremonia u zhvillua mes masash të jashtëzakonshme sigurie, me prani të shtuar policore, snajperë në çati dhe anije policie në det. Flamujt u ulën në gjysmështizë në të gjitha institucionet shtetërore, ndërsa në të gjithë vendin u mbajt një minutë heshtje në orën kur kishte ndodhur sulmi.
Dhjetëra mijëra qytetarë morën pjesë në ceremoninë përkujtimore, mes tyre edhe kryeministri australian Anthony Albanese dhe përfaqësues të tjerë të lartë politikë. Megjithatë, mbërritja e Albanese u shoqërua me fishkëllima dhe reagime të ashpra nga një pjesë e turmës, të cilat u përsëritën edhe kur emri i tij u përmend gjatë eventit. Kryeministri u ul në rreshtin e parë, duke mbajtur një kippah, kapelen tradicionale hebraike, por nuk mbajti fjalim.
Zemërimi i qytetarëve lidhet me kritikat ndaj qeverisë për dështim në frenimin e rritjes së antisemitizmit, veçanërisht pas përshkallëzimit të konfliktit në Gaza.
Në fjalën e tij, presidenti i Këshillit të Deputetëve Hebraikë të Uellsit të Ri Jugor, David Osip, tha se vendi kishte humbur pafajësinë:
“Siç u njollos bari i Bondit me gjak, ashtu është njollosur edhe kombi ynë. Por Hanukkah na mëson se edhe në errësirën më të thellë, një flakë shprese mund të tregojë rrugën përpara”.
Në ceremoni ishte i pranishëm edhe babai i Ahmed al-Ahmed, i cilësuar si “heroi i Bondit”, i cili u përball me njërin prej sulmuesve duke tentuar t’i merrte armën.
Një nga momentet më prekëse erdhi nga 14-vjeçarja e mbijetuar Chaya Dunton, e cila u shpreh:
“Po bëhemi më të fortë si komb. Rritja dhemb, por jeta vazhdon dhe ne duhet të bëjmë më të mirën me të”.
Autoritetet u kanë bërë thirrje qytetarëve australianë që në mbrëmje të ndezin një qiri në shtëpitë e tyre, në ditën e tetë dhe të fundit të Festivalit Hebraik të Dritave, si shenjë solidariteti dhe kujtimi për viktimat.
