Gazetari investigativ Artan Hoxha ka bërë deklarata të forta lidhur me çështjen e shumëdiskutuar të Ervis Martinaj, biznesmenit të zhdukur prej vitesh dhe një prej emrave më të njohur të botës së lojërave të fatit në Shqipëri.
I ftuar në një studio televizive, Hoxha deklaroi se tashmë dihen si personi që ka kryer ekzekutimin, ashtu edhe shuma që është paguar për eliminimin e Martinajt.
“Sot ne e dimë kush është edhe ekzekutori. Dimë edhe shuma që u vendos për t’u vrarë”, u shpreh gazetari.
Sipas Artan Hoxha, Martinaj ishte një personazh publik që nuk fshihej dhe kishte krijuar ndikim të madh në qarqe të ndryshme të jetës publike.
“Ai kishte qejf lokalet e natës, të shoqërohej me artistë, politikanë, njerëz të medias dhe vajza të ekranit”, deklaroi Hoxha.
Gazetari shtoi se gabimi më i madh i Martinajt ishte se nuk arriti të kontrollonte pushtetin dhe ndikimin që kishte krijuar.
“Llogaria që bëri gabim Ervis Martinaj ishte që nuk e kontrolloi dot pushtetin që bëri”, tha ai.
Artan Hoxha kërkoi gjithashtu më shumë transparencë nga Policia e Shtetit lidhur me informacionet që disponohen për fatin e Martinajt.
Ai deklaroi se familjarët e tij meritojnë të marrin përgjigje mbi çështjen.
“Do të kërkoja minimalisht që Policia e Shtetit të japë aq prova sa ka, pa prishur hetimin, dhe të thotë: ‘Nga informacionet që kemi, Ervis Martinaj nuk jeton’”, u shpreh gazetari.
Çështja e zhdukjes së Ervis Martinaj mbetet një nga dosjet më të bujshme dhe më të paqarta kriminale në Shqipëri gjatë viteve të fundit.
