IKMT ka pranuar zyrtarisht probleme serioze strukturore në dy prej godinave të projektit luksoz Durrës Yacht & Marina, investim i lidhur me biznesmenin nga Emiratet e Bashkuara Arabe, Mohamed Alabbar.
Sipas një deklarate zyrtare të IKMT-së, një inspektim i posaçëm ka konstatuar se dy objektet kanë pësuar ulje të konsiderueshme në terren, me diferenca që arrijnë deri në 28 centimetra.
Grupi i kontrollit u ngrit pas shqetësimeve për sigurinë dhe qëndrueshmërinë e godinave dhe përfshiu përfaqësues të IKMT-së, Agjencia e Zhvillimit të Territorit, IMT-së së Bashkisë Durrës dhe specialistë të Instituti i Ndërtimit.
Objektet e verifikuara janë pajisur me leje ndërtimi nga Këshilli Kombëtar i Territorit në shtator të vitit 2023 dhe ndodhen në zonat e menaxhimit A02 dhe A04 të projektit.
Sipas raportit topografik të Institutit të Ndërtimit:
- Objekti 02, me 6 deri në 8 kate mbi tokë dhe një kat nëntokë, ka pësuar ulje prej 28 cm.
- Objekti 04, me 6 deri në 10 kate mbi tokë dhe një kat nëntokë, ka pësuar ulje prej 18 cm.
Pas konstatimeve, IKMT i është drejtuar zyrtarisht kompanisë zbatuese duke kërkuar ndërhyrje të menjëhershme teknike për përforcimin e strukturave.
“IKMT i është drejtuar zyrtarisht kompanisë zbatuese të projektit, duke kërkuar marrjen e menjëhershme të masave për realizimin e projekt-përforcimeve të nevojshme teknike”, thuhet në deklaratë.
Institucioni sqaroi gjithashtu se çdo projekt përforcimi duhet të marrë më parë miratimin e autoriteteve përgjegjëse përpara nisjes së punimeve.
Edhe pse IKMT nuk ka dhënë një shkak zyrtar për fundosjen, raportimet paraprake dhe denoncimet në media kanë ngritur dyshime se problematika lidhet me mungesën e masave të duhura inxhinierike në themele dhe natyrën ranore e të paqëndrueshme të terrenit në zonën e portit të Durrësit.
Projekti Durrës Yacht & Marina u miratua si investim strategjik në vitin 2021 dhe konsiderohet nga Edi Rama si një nga investimet më të mëdha të huaja në Shqipëri, me një vlerë të deklaruar mbi 2 miliardë euro.
Zhvillimi i këtij projekti ka sjellë edhe planin për zhvendosjen e operacioneve tregtare të portit të Durrësit drejt Porto Romanos, ndërsa vetë projekti ka qenë vazhdimisht në qendër të debateve politike dhe akuzave për mungesë transparence.
