Edi Rama reagon sërish për deklaratën e Ferit Hoxha mbi marrëveshjen me Italinë: Citimi u nxor nga konteksti, “motra” Giorgia Meloni qetësohet pas garancisë së Ramës

Data

Edi Rama ka reaguar sërish lidhur me polemikat e krijuara pas deklaratës së ministrit të Jashtëm, Ferit Hoxha, mbi marrëveshjen Shqipëri-Itali për emigrantët dhe kampin e Gjadrit.

Në një reagim në rrjetin social “X”, Rama iu përgjigj gazetarit të “Euroactiv”, Eddy Wax, duke pretenduar se deklarata e Hoxhës ishte nxjerrë jashtë kontekstit dhe ishte interpretuar në mënyrë çorientuese.

Debati nisi pasi në një intervistë për “Euroactiv”, Hoxha u citua të kishte deklaruar se marrëveshja me Italinë nuk do të zgjatej pas vitit 2030, për shkak se Shqipëria synon të jetë anëtare e Bashkimit Europian deri atëherë.

Për të sqaruar situatën, redaktori Eddy Wax publikoi pjesë nga transkripti i plotë i intervistës, ku Hoxha shprehej:

“Po ju them se pas pesë vitesh, sapo Shqipëria të anëtarësohet, kjo nuk është më ekstraterritoriale. Është territor i Bashkimit Europian. Së pari, është për pesë vjet dhe nuk jam i sigurt nëse do të ketë një zgjatje. Së dyti, nuk do të ketë zgjatje sepse ne do të jemi anëtar të Bashkimit Europian.”

Pas publikimit të transkriptit, Edi Rama reagoi duke ironizuar “historinë Edi kundër Eddy”, por theksoi se citimi i shkurtuar kishte krijuar një perceptim të gabuar.

“I dashur Eddy Wax, e kuptoj që është argëtuese të krijohet një histori ‘Edi kundër Eddy’, por këtu realisht nuk ka vend për një gjë të tillë… tani që publikove transkriptin e plotë, është krejtësisht e qartë se citimi i shkurtuar ishte mjaftueshëm çorientues që kushdo me një interes ideologjik të caktuar ta përdorte sipas dëshirës së vet”, shkroi Rama.

Ai shtoi se nuk ka hatërmbetje ndaj gazetarit dhe ritheksoi se marrëveshja me Italinë do të vijojë për aq kohë sa Roma do ta dëshirojë.

“Në fund të fundit, thelbi mbetet i pandryshuar: Çfarë Italia kërkon nga Shqipëria, Italia e merr nga Shqipëria”, deklaroi kryeministri shqiptar.

Dy ditë më parë, Rama kishte reaguar gjithashtu për të përgënjeshtruar raportimet se Tirana synonte të mos rinovonte marrëveshjen për kampet e emigrantëve pas vitit 2030.

Në të njëjtën kohë, Giorgia Meloni përshëndeti publikisht deklaratat e Ramës, duke shkruar shkurt në rrjetet sociale: “Faleminderit Edi!”.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related