Gazment Bardhi akuzon mazhorancën për përjashtim të opozitës nga procesi i integrimit: “Axhenda nis me Taulant Balla dhe mbaron me 10 Ballat e PS-së”

Data

Kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, ka akuzuar mazhorancën në nisje të seancës plenare për përjashtim të opozitës nga proceset që lidhen me integrimin europian të Shqipërisë.

Gjatë fjalës së tij në Kuvend, Bardhi deklaroi se qeveria dhe Partia Socialiste po monopolizojnë forumet institucionale që lidhen me integrimin, duke lënë jashtë opozitën edhe në struktura ku ajo duhet të përfaqësohet.

Deputeti demokrat iu referua mbledhjes së paralajmëruar të Këshillit Kombëtar të Integrimit, duke pretenduar se axhenda e këtij forumi dominohet tërësisht nga përfaqësues të mazhorancës.

“Sot ngrihen në foltore dhe kërkojnë bashkëpunimin e opozitës, por nesër kanë thirrur një mbledhje të Këshillit Kombëtar të Integrimit ku axhenda nis me Taulant Balla dhe përfundon me 10 Ballat e PS-së. Nuk ka asnjë përfaqësues të opozitës në axhendë”, deklaroi Bardhi.

Sipas tij, kjo qasje bie ndesh edhe me rekomandimet e institucioneve europiane, të cilat kanë kërkuar bashkëpunim politik dhe përfshirje të opozitës në procesin e integrimit europian.

Deklaratat e Bardhit vijnë në një moment kur debati politik mes opozitës dhe mazhorancës është përqendruar te raportet e fundit europiane për Shqipërinë dhe standardet demokratike në vend.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related