Kreu i grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, ka akuzuar mazhorancën në Kuvend për ndërhyrje politike në proceset e drejtësisë dhe për mbrojtje të korrupsionit në nivelet e larta të qeverisë.
Gjatë fjalës së tij në seancën plenare, Bardhi iu referua raportit të Parlamentit Europian për Shqipërinë, të miratuar më 5 maj, ku sipas tij evidentohen problematika serioze që lidhen me funksionimin e shtetit ligjor dhe procesin e integrimit europian.
Deputeti demokrat deklaroi se një nga çështjet më problematike për imazhin e Shqipërisë është votimi në Kuvend kundër kërkesës së SPAK për heqjen e imunitetit të ish-zv.kryeministres Belinda Balluku.
“Sikundër jeni në dijeni, Parlamenti Europian miratoi në mënyrë unanime raportin për Shqipërinë, ku evidentohen problematika që duhet të trajtohen nga Kuvendi. Por ka edhe njolla të zeza që vështirësojnë integrimin, siç janë 83 votat kundër për të penguar drejtësinë dhe për të mbrojtur korrupsionin e ish-zv.kryeministres”, deklaroi Bardhi.
Sipas tij, ndërhyrja politike në çështjet e drejtësisë cenon procesin e integrimit europian dhe dëmton besueshmërinë e institucioneve shqiptare përballë partnerëve ndërkombëtarë.
Debati për raportin e Parlamentit Europian dhe akuzat për ndërhyrje në drejtësi kanë dominuar diskutimet politike në Kuvend gjatë ditëve të fundit, mes përplasjesh të forta mes opozitës dhe mazhorancës.
