Korrupsion, drogë dhe kalim i paligjshëm/ Ekstradohen 3 persona nga Gjermania dhe Italia

Data

Tre persona të shpallur në kërkim ndërkombëtar janë ekstraduar drejt Shqipërisë nga Gjermania dhe Italia, të akuzuar për vepra penale në fushën e narkotikëve, ndihmës për kalim të paligjshëm të kufirit dhe korrupsionit.

Sipas Policisë së Shtetit, në kuadër të operacionit ndërkombëtar të koduar “The Wanted”, u ekstradua nga Gjermania shtetasi Ibrahim Anxhara alias Ibrahim Potka, 27 vjeç, i dënuar nga Gjykata e Korçës në vitin 2024 me 3 vite e gjysmë burg për “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”.

Nga Milano, Itali, u ekstradua Samoel Terolli alias Jetmir Hysenaj, 46 vjeç, i dënuar nga Gjykata e Lezhës në qershor 2023 me 5 vite burg për “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufijve”, kryer në bashkëpunim.

Po ashtu, nga Italia u ekstradua edhe Genci Balla, 51 vjeç, banues në Durrës, i dënuar nga Gjykata e Durrësit me 2 vite e 8 muaj burg për “Korrupsion pasiv i personave që ushtrojnë një funksion publik”. Sipas njoftimit, pjesa e mbetur e dënimit është 2 vite, 2 muaj e 23 ditë.

Autoritetet bëjnë me dije se bashkëpunimi me homologët ndërkombëtarë do të vijojë për kapjen dhe ekstradimin e personave të tjerë të shpallur në kërkim.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related