Gjermania dhe Italia kundër përfshirjes në konfliktin SHBA-Izrael-Iran: “Kjo nuk është lufta jonë”

Data

Gjermania dhe Italia kanë shprehur qartë se nuk do të përfshihen në një luftë të mundshme kundër Iranit, duke theksuar nevojën për uljen e tensioneve dhe rikthimin e diplomacisë në Lindjen e Mesme.

Zëvendëskancelari gjerman Lars Klingbeil deklaroi për rrjetin RND se Berlini nuk do të marrë pjesë në një luftë të udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara dhe Izraeli kundër Iranit.

“Kjo nuk është lufta jonë. Ne nuk do të marrim pjesë në këtë luftë”, u shpreh Klingbeil.

Ai paralajmëroi gjithashtu për rrezikun që përshkallëzimi i konfliktit të çojë në një rend botëror ku nuk respektohen më rregullat ndërkombëtare. Sipas tij, ekzistojnë edhe “dyshime serioze” për ligjshmërinë e një lufte të tillë sipas të drejtës ndërkombëtare.

Në të njëjtën linjë është shprehur edhe kryeministrja italiane Giorgia Meloni, e cila theksoi se Italia nuk është pjesë e luftës dhe nuk synon të përfshihet në të.

Meloni deklaroi se qeveria italiane është e fokusuar në mbrojtjen e sigurisë së vendit dhe të qytetarëve të saj, ndërsa mbështet çdo iniciativë që synon uljen e tensioneve dhe arritjen e paqes.

Ajo bëri të ditur se ka zhvilluar bisedime me liderë europianë, përfshirë Emmanuel Macron, Friedrich Merz dhe Keir Starmer, për të shmangur një përshkallëzim të mëtejshëm të konfliktit dhe për të vlerësuar mundësinë e rikthimit të negociatave diplomatike.

Deklaratat e dy vendeve të mëdha europiane vijnë në një moment kur tensionet në Lindjen e Mesme janë rritur ndjeshëm, pas përplasjeve ushtarake mes Iranit, Izraelit dhe përfshirjes së Shteteve të Bashkuara në rajon.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related