Sipas raportimeve të Financial Times, operacioni që çoi në vrasjen e Ajatollah Ali Khameneit u mbështet në mënyrë vendimtare nga Njësia 8200, divizioni elitar i inteligjencës kibernetike brenda Inteligjencës Ushtarake Izraelite (AMAN).
Kjo njësi është e specializuar në përgjime sinjalesh, ndërhyrje në rrjete komunikimi, analizë të të dhënave të hapura (OSINT) dhe operacione të luftës kibernetike. Sipas burimeve të cituara nga mediat ndërkombëtare, hackerët ushtarakë arritën të depërtonin në sistemin e kamerave të trafikut në Teheran, duke monitoruar në kohë reale lëvizjet rreth kompleksit ku ndodhej qendra e komandës iraniane.
Po ashtu, ata dyshohet se ndërprenë komunikimet telefonike të sigurisë në zonë, duke izoluar përkohësisht rrjetin e komunikimit në momentin kritik të operacionit.
Ky kombinim i teknologjisë së avancuar dhe informacioneve nga burime njerëzore, që sipas disa raportimeve mund të ketë përfshirë edhe mbështetje nga CIA, i ka lejuar inteligjencës izraelite të rindërtojë rutinat dhe itineraret e përditshme të drejtuesve iranianë dhe të zgjedhë momentin optimal për goditjen.
Gazetari Guido Olimpio i Corriere della Sera raporton se pasi u konfirmua prania e objektivit në bunker, avionët izraelitë F-15 Baz lëshuan raketa me depërtim të lartë, duke shkatërruar kompleksin ku ndodhej lideri iranian.
Sipas të njëjtave burime, plani për eliminimin e Khameneit kishte rrënjë që në fillim të viteve 2000, kur drejtuesi i atëhershëm i Mossad, Meir Dagan, veproi me urdhër të kryeministrit izraelit Ariel Sharon. Zbatimi përfundimtar i operacionit, sipas raportimeve, u realizua dekada më vonë nën drejtimin politik të kryeministrit Benjamin Netanyahu.
Analistët kanë bërë krahasime me operacione të mëparshme të inteligjencës izraelite kundër Hamasit, duke theksuar se në këtë rast koordinimi mes inteligjencës, teknologjisë dhe forcave ajrore ishte vendimtar për realizimin e operacionit.
