Serbia nuk ka arritur të marrë miratimin unanim të vendeve anëtare të Bashkimit Evropian për hapjen e Kapitullit (Cluster) 3 të negociatave të anëtarësimit, pasi tetë shtete anëtare kundërshtuan avancimin e procesit gjatë mbledhjes së ambasadorëve të BE-së në Bruksel.
Sipas burimeve diplomatike, kundër hapjes së Cluster 3 u shprehën Holanda, Suedia, Finlanda, Belgjika, Estonia, Lituania, Bullgaria dhe Kroacia, ndërsa disa vende të tjera shprehën rezerva lidhur me ecurinë e reformave në Serbi.
Komisioni Evropian kishte rekomanduar më herët hapjen e këtij grup-kapitulli, duke argumentuar se Beogradi kishte bërë progres në disa fusha, përfshirë reformën në drejtësi, legjislacionin zgjedhor dhe median, megjithëse kishte theksuar se mbeten ende reforma për t’u përmbushur.
Megjithatë, një numër shtetesh anëtare vlerësuan se Serbia nuk ka bërë përparim të mjaftueshëm, veçanërisht në fushën e shtetit të së drejtës, lirisë së medias dhe përshtatjes me politikën e jashtme të BE-së, përfshirë mosvendosjen e sanksioneve ndaj Rusisë.
Çështja pritet të rikthehet për diskutim në mbledhjen e ardhshme të ministrave të Jashtëm të vendeve anëtare të Bashkimit Evropian, megjithëse aktualisht nuk ka sinjale se vendet kundërshtuese do të ndryshojnë qëndrim.
