Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, deklaroi se prej një muaji kishte paralajmëruar mundësinë e një sulmi amerikan ndaj Iranit, duke theksuar se paralajmërimet e tij nuk janë marrë seriozisht.
Gjatë një vizite në Qendrën e rindërtuar Kombëtare të Dispeçerit të Rrjetit Elektroenergjetik të Serbisë, Vuçiç foli për zhvillimet e fundit në skenën ndërkombëtare dhe pasojat e mundshme për sektorin energjetik.
“Kam një muaj që them se Amerika do të sulmojë Iranin, dhe disa më bënin budalla për këtë”, u shpreh ai, duke paralajmëruar se situata mund të sjellë pasoja të rënda për Evropën.
Sipas Vuçiç, përshkallëzimi i konfliktit në Lindjen e Mesme mund të rrisë ndjeshëm çmimet e naftës dhe gazit, ndërsa përmendi edhe ndikimin që mund të ketë bllokimi i Ngushticës së Hormuzit dhe reduktimi i furnizimeve nga Katari.
Presidenti serb theksoi se Serbia është e përgatitur për sfida të tilla, duke shtuar se vendi ka rezerva të konsiderueshme energjie dhe rafineritë vazhdojnë të funksionojnë.
Në deklaratat e tij, Vuçiç komentoi edhe zhvillimet politike në rajon dhe kritikoi akuzat se zgjedhjet lokale në Serbi janë shpallur për të shmangur ndikimin e zhvillimeve politike në Hungari. Ai i quajti këto pretendime “budallallëk” dhe theksoi se zgjedhjet janë të rregullta.
Presidenti serb foli gjithashtu për shqetësimet e Kroacisë lidhur me forcimin e ushtrisë serbe, duke thënë se një Serbi më e fortë mund të shihet si problem nga disa vende të rajonit, edhe pse, sipas tij, Serbia nuk përbën kërcënim për fqinjët.
