Prokuroria e Posaçme nuk heq dorë për të dënuar Safet Gjicini për akuzën e korrupsionit dhe shpërdorimit të detyrës. Në seancën e djeshme në Gjykatën e Posaçme të Apelit prokurorja ka kërkuar dënimin e tij me 4 vite e 6 muaj burg dhe Alma Kaçin mbi akuzën e korrupsionit aktiv me 1 vit e 5 muaj burg. Të dy përfitojnë uljen e 1/3 së dënimit për shkak të gjykimit të shkurtuar. SPAK nuk ishte dakort me ndryshimin e akuzës dhe uljen e dënimit që u bë nga Gjykata e shkallës së parë. Avokati i Safet Gjicit kërkoi pafajësi. Alma Kaçi nuk u paraqit as në këtë seancë, gjithashtu as avokatja e saj mbrojtëse. Në këto kushte gjykata caktoi një avokat kryesisht, Arben Peci i cili kërkoi pafajësi. Vendimi do të jepet më 24 Qershor ora 14:00. Gjykata e Shkallës së parë e ka dënuar ish-kryebashkiakun Gjici me 3 vite burg vetëm për shpërdorim detyre me gjykim të shkurtuar. Alma Kaçi u dënua me 1 vit e 6 muaj burg që u reduktua nga gjykimi i shkurtuar me 1 vit burg për prostitucion. Ankimi u bë në apel edhe nga SPAK edhe nga të pandehurit. Videoskandali ku Gjici dhe 40 vjeçarja kryenin marrëdhënie intime në zyrën e kryetarit në bashkinë e Kukësit doli në media më 16 qershor 2023, ndërsa data e regjistrimit në video ishte 6 qershor 2023. Safet Gjici u arrestua më 24 qershor 2023. Sipas SPAK, e cila mbylli hetimet më 25 nëntor 2023, janë përftuar prova dhe të dhëna nga analizimi i të cilave ka rezultuar se e pandehura Alma K., është personi që i ka ofruar/dhënë përfitime të parregullta të pandehurit Safet Gjici, dhe se ky i fundit pasi ka përfituar prej saj përfitimin e parregullt, në formën e favorit seksual, ka premtuar/pranuar ta ndihmojë me projektin e saj të mbrojtjes së qenve dhe ta paraqiste më tej në mbledhje të Këshillit Bashkiak të Bashkisë Kukës.
Memolla përballet me drejtësinë
Ndërkohë nga ana tjetër, në Gjykatën e Posaçme u zhvillua dje seanca e parë për kryebashkiakun socialist Edison Memolla, ndaj të cilit ka nisur gjykimi për korrupsion në zgjedhjet e 6 marsit 2022. Vetë Memolla ishte i pranishëm në seancën, ndërsa në një prononcim për mediat, kryebashkiaku i Rrogozhinës tha se është gati të përballet me drejtësinë. “Isha si dëshmitar. Jam i gatshëm te përballem me drejtësinë për të provuar pafajësinë”, deklaroi Memolla. Gjykata caktoi datën 23 korrik në ora 13:00 për seancën e radhës ku avokatët do të paraqesin provat e tyre dhe më pas do të jepen konkluzionet e SPAK. Akuza ndaj Memollës u ngrit pasi u transmetuan regjistrime bisedash për favorizime në këmbim të votës në zgjedhjet e pjesshme lokale të 6 marsit. Rasti u denoncua 2 ditë para zgjedhjeve, ku Memolla i kërkonte punonjësit të OSSHEE që të mos i ndërpriste dritat një familjeje debitore sa t’i merrte votat. Madje i konfirmonte se do ja kryente vetë ai një muaj pagesë, e do të ndërhynte tek drejtorët e OSHEE-së që të mos penalizonin punonjësit që kryenin këto favorizime sa të kalonin zgjedhjet. Përveç korrupsionit zgjedhor, Memolla po hetohet nga SPAK edhe për pastrim parash, pasi akuzohet se ka abuzuar me fondet e rindërtimit.
