Zëvendëspresidentja e Partisë së Lirisë, Erisa Xhixho, ka reaguar ashpër lidhur me situatën e rënduar të përmbytjeve në vend, duke kërkuar shpalljen e menjëhershme të gjendjes së fatkeqësisë natyrore.
Në reagimin e saj publik, Xhixho thekson se Shqipëria po përballet me një situatë alarmante, ku qytetarët po humbasin shtëpitë, pronat dhe sigurinë e jetës, ndërsa qeveria, sipas saj, po mjaftohet me propagandë dhe justifikime boshe. Ajo e cilëson këtë qasje si papërgjegjshmëri kriminale.
Sipas Xhixhos, refuzimi për të shpallur gjendjen e fatkeqësisë natyrore është një akt i qëllimshëm për t’iu shmangur përgjegjësisë ligjore dhe dëmshpërblimit të mijëra familjeve të dëmtuara nga përmbytjet. “Ky është një shtet që braktis qytetarët e vet në momentin më të vështirë,” – shprehet ajo.
Xhixho rendit edhe kërkesat urgjente që, sipas saj, duhet të ndërmerren pa vonesë:
- Evakuim i menjëhershëm i banorëve në zonat e rrezikuara
- Shpallje urgjente e gjendjes së fatkeqësisë natyrore
- Dëmshpërblim i plotë për çdo familje të prekur nga përmbytjet
Në përfundim të reagimit, Xhixho thekson se shteti nuk mund të reduktohet në propagandë apo fasadë mediatike, por duhet të tregojë përgjegjësi reale, veprim konkret dhe mbrojtje efektive të jetës dhe pronës së qytetarëve.
