Katër efektivë të policisë kanë mbetur të lënduar gjatë protestës së sotme të thirrur nga Partia Demokratike, e cila u shoqërua me tensione të forta dhe akte dhune në disa zona të kryeqytetit.
Sipas burimeve, një prej efektivëve është dëmtuar gjatë hedhjes së molotovëve përpara godinës së Kryeministrisë, ndërsa tre efektivë të tjerë janë lënduar gjatë përplasjeve dhe hedhjes së mjeteve zjarrvënëse pranë Parlamentit.
Efektivët e plagosur kanë pësuar djegie në pjesë të ndryshme të trupit dhe janë transportuar për ndihmë mjekësore. Deri në këto momente, nuk ka informacion të detajuar mbi gjendjen e tyre shëndetësore.
Protesta, e cila fillimisht u zhvillua me fjalime politike, u përshkallëzua më pas në incidente të dhunshme, me përplasje mes protestuesve dhe forcave të rendit, hedhje molotovësh dhe dëmtime të pronës publike. Autoritetet po vlerësojnë situatën dhe pasojat e ngjarjeve të mbrëmjes.
