Situata është përshkallëzuar mbrëmjen e së martës pranë godinës së Parlamentit, ku protestuesit u zhvendosën pas përfundimit të tubimit përpara Kryeministrisë. Gjatë grumbullimit, u shënuan tensione të forta dhe përplasje me forcat e policisë.
Sipas raportimeve, disa protestues hodhën molotovë dhe flakadanë në drejtim të perimetrit të sigurisë, duke shkaktuar zjarr dhe kaos në zonë. Gjatë incidenteve, një automjet është përfshirë nga flakët, ndërsa policia ndërhyri për të shmangur përhapjen e zjarrit dhe për të mbajtur nën kontroll situatën.
Pjesa më e madhe e protestuesve u përqendrua pranë Parlamentit, ndërkohë që grupe më të vogla vijuan të qëndrojnë në afërsi të Kryeministrisë. Në zonë u shtua prania e forcave të rendit, ndërsa autoritetet bënë thirrje për qetësi dhe ndalim të akteve të dhunshme.
Sipas informacioneve paraprake, disa deputetë të opozitës iu bashkuan protestuesve gjatë zhvillimeve pranë Parlamentit. Deri në këto momente nuk ka njoftime zyrtare për persona të lënduar, ndërsa po vlerësohen dëmet materiale të shkaktuara nga incidentet.
