Dhoma Amerikane e Tregtisë në Shqipëri (AmCham) ka ngritur shqetësime serioze lidhur me mënyrën se si funksionojnë sistemet digjitale qeveritare, veçanërisht platforma e-Albania, duke paralajmëruar rreziqe të mëdha për sigurinë e të dhënave, stabilitetin ekonomik dhe vazhdimësinë e bizneseve.
Në një deklaratë zyrtare, AmCham vlerëson përpjekjet e qeverisë për digjitalizimin e shërbimeve publike, por thekson se administrimi i të dhënave tepër sensitive pa auditime të rregullta, siguri të përditësuar dhe standarde ndërkombëtare përbën një kërcënim serioz. Sipas saj, ndërprerjet e shpeshta, vonesat dhe funksionimi i paqëndrueshëm i e-Albania-s po dëmtojnë drejtpërdrejt aktivitetin e bizneseve dhe përmbushjen e detyrimeve ligjore.
Dhoma Amerikane nënvizon se shumë nga kompanitë anëtare operojnë në sektorin e teknologjisë së informacionit, janë të certifikuara ndërkombëtarisht dhe disa prej tyre ofrojnë shërbime edhe për institucionet e Qeverisë së SHBA-së. Megjithatë, pavarësisht kësaj eksperience, ato raportojnë probleme serioze me funksionimin e sistemeve shtetërore dhe me procedurat e prokurimit publik në sektorin TIK.
Sipas AmCham, mungesa e konkurrencës së ndershme në prokurime dhe përfshirja e kompanive pa auditime strikte sigurie rrisin rrezikun për keqmenaxhim të fondeve publike dhe ekspozim të të dhënave sensitive të qytetarëve, bizneseve dhe institucioneve shtetërore.
Dhoma Amerikane i bën thirrje qeverisë të marrë masa të menjëhershme për auditime të pavarura të sigurisë kibernetike, forcim të kontrollit të aksesit, vendosje standardesh të detyrueshme për funksionimin e pandërprerë të shërbimeve dhe përmirësim të transparencës në prokurimet publike. Sipas saj, këto masa janë thelbësore për mbrojtjen e të dhënave, sigurinë kombëtare dhe besimin e qytetarëve dhe bizneseve te shërbimet digjitale shtetërore.
