Shërbimi onkologjik në Shqipëri ndodhet në një situatë alarmante, sipas deputetit të Partisë Demokratike, Kliti Hoti, i cili ka denoncuar në Kuvend mungesa të theksuara në personel, barna dhe infrastrukturë trajtimi.
Hoti u shpreh se vendi ka vetëm tre kirurgë onkologë për të gjithë pacientët, ndërkohë që nevojat reale janë shumë më të mëdha. Sipas tij, vetëm për trajtimin e kancerit të gjirit kërkohet një numër disa herë më i lartë specialistësh.
Një tjetër problem i madh, sipas deputetit, është centralizimi ekstrem i shërbimit. Ai theksoi se Shqipëria ka vetëm një qendër kryesore për trajtimin e pacientëve me kancer, në Tiranë, ndërkohë që nevojiten qendra rajonale në veri, jug dhe qendër të vendit.
Kjo situatë detyron pacientët nga qytete të largëta të udhëtojnë drejt kryeqytetit për trajtim, shpesh duke u përballur me mungesë barnash ose vonesa në shërbim.
Hoti ngriti gjithashtu shqetësimin për mungesën e një regjistri kombëtar të kancerit, duke thënë se pa të nuk mund të ketë planifikim real, rimbursim efektiv apo politika shëndetësore të bazuara në të dhëna.
Sipas tij, disa fusha terapeutike mbeten të pambuluara, çka do të thotë se për disa pacientë nuk ekziston mundësi reale trajtimi brenda vendit.
Deputeti akuzoi qeverinë për dështim afatgjatë në menaxhimin e shërbimit onkologjik, duke kërkuar ndërhyrje urgjente për shtimin e personelit, zgjerimin e qendrave të trajtimit dhe garantimin e barnave jetike për pacientët.
