Në Gjykatën e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO) u zhvillua seanca e radhës për atentatin e 1 nëntorit 2019 ndaj ish-prokurorit, aktualisht deputet i PD-së, Arjan Ndoja, ku mbeti i vrarë shoferi i tij, Andi Maloku.
Si dëshmitar u paraqit Erigen Toska, i cili tregoi episodin e vjedhjes së automjetit të tij në vitin 2019, një Mercedes Benz gri, që sipas hetimeve dyshohet se është përdorur në atentat. Toska deklaroi se mjeti ishte vjedhur pranë banesës së tij dhe se kishte bërë kallëzim në komisariat, duke dorëzuar edhe çelësat rezervë.
Në sallë dëshmoi edhe Ramazan Rraja, nipi i deputetit socialist Rrahman Rraja, i akuzuar për sigurimin e kushteve për atentatin. Ai mohoi çdo përfshirje në ngjarje, duke deklaruar se nuk njeh viktimat, nuk ka pasur konflikte dhe nuk ka përdorur aplikacione të enkriptuara.
Gjatë dëshmisë, Rraja pretendoi se familja e tij ka qenë në rrezik:
“Kam parë në televizor që kanë dashur të vrasin familjarët e mi, por ka dashur Zoti dhe ne e bëjmë gjumin rehat”, u shpreh ai para trupës gjykuese.
Ai mohoi gjithashtu çdo detyrim financiar ndaj Plaurent Dervishajt, duke thënë se mes tyre nuk ka pasur asnjë marrëdhënie tjetër përveç një kafeje të paguar.
Të pandehurit e tjerë, Bashkim Haxhia dhe Endrit Sinani, refuzuan të japin dëshmi, ndërsa Plaurent Dervishaj dhe Julian Meçe nuk dhanë pëlqim për t’iu përgjigjur pyetjeve të prokurorisë.
Seanca u shty, pasi Dervishaj kërkoi kohë për të zgjedhur një avokat të ri, pas dorëheqjes së mbrojtësit të tij, i cili deklaroi se ishte paragjykuar gjatë procesit.
Gjyqi do të vijojë në një seancë të ardhshme.
