SHBA miraton 11 miliardë dollarë shitje armësh për Tajvanin, Kina kundërpërgjigjet me sanksione

Data

Ministria e Jashtme e Kinës njoftoi të premten vendosjen e sanksioneve ndaj 10 individëve dhe 20 kompanive amerikane të industrisë së mbrojtjes, si hakmarrje për miratimin nga Shtetet e Bashkuara të një pakete të madhe shitjesh armësh për Tajvanin.

Sanksionet përfshijnë ngrirjen e çdo pasurie që këta individë dhe kompani mund të kenë në territorin kinez, si dhe ndalimin e plotë të bashkëpunimit ekonomik me subjekte dhe individë vendas. Gjithashtu, personave të përfshirë në listë u ndalohet hyrja në Kinë.

Në mesin e të sanksionuarve janë drejtues të lartë të industrisë amerikane të mbrojtjes, përfshirë themeluesin e një kompanie të njohur të teknologjisë ushtarake, si edhe drejtues të tjerë nga firma të mëdha që operojnë në fushën e armatimeve dhe shërbimeve ushtarake.

Vendimi i Pekinit vjen pasi Uashingtoni miratoi javën e kaluar një paketë shitjesh armësh për Tajvanin me vlerë rreth 11.1 miliardë dollarë, e cilësuar si më e madhja e deritanishme. Ky hap ka shkaktuar reagim të fortë nga autoritetet kineze, të cilat e shohin Tajvanin si pjesë të pandashme të territorit të tyre.

Në një deklaratë zyrtare, Ministria e Jashtme kineze theksoi se çështja e Tajvanit është thelbi i interesave kombëtare të Kinës dhe një vijë e kuqe që nuk mund të kapërcehet në marrëdhëniet me SHBA-në. Sipas Pekinit, çdo veprim që tejkalon këtë kufi do të përballet me kundërpërgjigje të ashpra.

Autoritetet kineze i kërkuan Shteteve të Bashkuara të ndalojnë, sipas tyre, veprimet provokuese dhe të rrezikshme që synojnë armatosjen e Tajvanit, duke paralajmëruar se tensionet në rajon mund të përshkallëzohen më tej nëse këto politika vazhdojnë.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related