SHBA riformaton qasjen ndaj Tiranës: Rama dhe Berisha jashtë loje, diplomacia amerikane kërkon rezultate dhe distancim nga rrjetet e vjetra politike

Data

Ardhja e Donald Trump në pushtet ka sjellë një ndryshim drastik në qëndrimin e ambasadës së SHBA në raport me qeverinë shqiptare. Asnjë urim për zgjedhje. Asnjë urim për qeverinë e re. Sinjale të fuqishme të injorimit të kryeministrit Rama dhe qeverisë së tij. Një situatë e jashtëzakonshme midis dy shteteve që fillon me nivelin e ulët të përfaqësimit deri te kërcënimet për psikopatët e Sorosit dhe kartelet e drogës nga Donald Trump. SHBA mesa duket po riformaton qasjen amerikane ndaj Shqipërisë, duke e zhvendosur vëmendjen nga aleancat e vjetra dhe duke kërkuar partnerë të besueshëm që sjellin rezultate.

Në këtë realitet të ri, ku Uashingtoni synon stabilitet dhe luftë të vërtetë kundër korrupsionit, dy figurat që kanë dominuar politikën shqiptare për dekada, Edi Rama dhe Sali Berisha po dalin gjithnjë e më jashtë loje. Berisha mbetet “non grata” dhe i izoluar, ndërsa kryeministri përballet çdo ditë edhe më shumë me një mosbesim të shtuar nga SHBA, për shkak të aferave, krizave të brendshme, lojërat me kinezë dhe rusë dhe mbajtjen e lidhjeve të forta me rrjetin Soros, i cili është në luftë të hapur me Donald Trump. Politikës shqiptare po i jepet një paralajmërim i fortë se epoka e pazareve të mbyllura dhe influencave të dyshimta po përfundon, dhe mbështetja amerikane nuk është më automatike.

Mesazhi i ambasadës

E ngarkuara me punë e ambasadës së SHBA në Tiranë, Nancy VanHorn, ka takuar ditën e djeshme krerët e dy grupeve më të mëdha parlamentare, Taulant Ballën dhe Gazment Bardhin. Në një postim në mediat sociale, ambasada e SHBA bëri me dije se diskutimet kanë qenë produktive, por kërkon prej tyre që të japin rezultate për qytetarët. “VanHorn theksoi dialogun konstruktiv dhe lirinë e fjalës si shtylla të institucioneve të forta politike. Ambasada e SHBA-së pret me padurim të punojë së bashku me zyrtarë nga i gjithë spektri politik për t’i bërë vendet tona më të sigurta dhe më të begata”, njoftoi ambasada e SHBA.

Reagimi i Ballës

Gjithashtu, kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, përmes një postimi në mediat sociale pohoi se me diplomaten e SHBA ka diskutuar për punën e Kuvendit, në kuadër të reforma që e afrojnë Shqipërinë me Bashkimin Evropian. “Në qendër të bisedës ishte dialogu dhe agjenda legjislative e Kuvendit në kuadër të reformave shumëplanëshe, ku prioritete thelbësore spikasin përmbushja e detyrimeve të Shqipërisë në rrugën e anëtarësimit në Bashkimin Europian brenda këtij mandati si dhe detyrimet në fushën e sigurisë si një vend anëtar i NATO, aleat strategjik me SHBA.Vlerësojmë mbi gjithçka rolin udhëheqës të Presidentit Trump dhe përpjekjet e SHBA për paqe dhe siguri kudo në botë”, u shpreh Balla.

Reagimi i Bardhit

Lidhur me këtë takim ka reaguar edhe Gazment Bardhi, i cili në mediat sociale tregon se ka ndarë me diplomaten qëndrimin e PD për luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit. Bardhi gjithashtu ankohet për qeverinë, duke e quajtur si të lidhur me krimin. “Gjatë këtyre 12 viteve, Shqipëria është drejtuar nga një qeveri partnere e krimit të organizuar dhe e karteleve të drogës. Kjo qeveri qëndron në pushtet përmes parave të pista të krimit të organizuar dhe korrupsionit. E vetmja rrugë që e çon përpara Shqipërinë si një vend i zhvilluar dhe si partner i denjë i SHBA është lufta reale ndaj krimit të organizuar dhe korrupsionit nga një qeveri, e cila del  nga zgjedhje të lira dhe të ndershme”, deklaroi Bardhi, Ai shtoi se Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë një aleat i çmuar i Shqipërisë, që kanë qenë në krah të vendit tonë në çdo hap të rëndësishëm. Kujtojmë gjithashtu se disa ditë më parë zëvendës ndihmës Sekretari i Shtetit i SHBA-së, Mark Fleming, zhvilloi një sërë takimesh me drejtues të institucioneve të drejtësisë dhe përfaqësues politikë në Shqipëri, por njësoj si VanHorn nuk pranoi të takohej me Edi Ramën apo dhe me Berishën.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related