Të tjera detaje komprometuese janë zbardhur nga dosja hetimore e Prokurorisë së Posaçme Anti-Korrupsion ndaj zv.kryeministres dhe ministres së Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku. Përveç hetimeve për tunelin e Llogarasë dhe lotet e Unazës së Madhe të Tiranës, SPAK ka zgjeruar hetimin edhe mbi koncesionin e rrugës Thumanë–Fushë-Krujë–Vorë–Kashar.
Në kuadër të hetimit, janë analizuar komunikime të përgjuara nga telefoni “BlackBerry” i ish-kreut të ARRSH-së, Evis Berberi, si edhe mesazhe të shkëmbyera përmes aplikacionit Signal. Në këto komunikime, Balluku flet hapur për takime me biznesmenin Bashkim Ulaj dhe për mënyrën se si po e trajton projektin e Thumanë–Kasharit.
Në një nga bisedat, Balluku i shkruan Berberit se kishte qenë një ditë më parë me “Bashkimin” dhe se i kishte thënë se ky projekt ishte “sfida e saj dhe e tij”. Në vijim të komunikimit përmenden detaje teknike për vinçin dhe trarët e urës, ndërsa Berberi i raporton për lëvizjet në terren.
Në një tjetër mesazh, zv.kryeministrja shprehet në mënyrë të drejtpërdrejtë se po i bënte “nderin e jetës” me projektin Thumanë–Kashar, duke shtuar se personi për të cilin fliste “mund të bëhet shumë ushtar”. Ajo e përshkruan atë si “të izoluar dhe të pashpresë”, duke nënkuptuar një marrëdhënie varësie dhe ndikimi.
Sipas SPAK, këto komunikime i referohen Bashkim Ulajt, ortak i shoqërisë “Gener 2” sh.p.k., e cila u shpall fituese e koncesionit/PPP për ndërtimin dhe mirëmbajtjen e aksit Thumanë–Fushë-Krujë–Vorë–Kashar. Projekti ka një vlerë të parashikuar prej rreth 245 milionë eurosh.
Hetimet tregojnë se më 9 maj 2022 është nënshkruar kontrata e koncesionit mes Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë, si autoritet kontraktor, dhe shoqërive “Gener 2” sh.p.k. dhe “G2 Infra” sh.p.k., në cilësinë e koncesionarit.
Pjesë nga komunikimet e zbardhura nga SPAK:
Belinda Balluku: Isha me Bashkimin dje.
Evis Berberi: Si shkoi?
Belinda Balluku: I thashë kjo është sfida ime dhe e tij.
Evis Berberi: Po prandaj ndihej ndryshimi sot.
Belinda Balluku: Më tha që vinçi për trarët e urës vjen nesër ose pasnesër.
Evis Berberi: Erdhi dje, sot shkonte te ura. Se që andej po kthehem.
Belinda Balluku: Unë po i bëj nderin e jetës me Thumanë-Kashar, ndaj ai do bëhet copë. Mund të bëhet shumë ushtar. Është shumë i izoluar dhe i pashpresë.
Evis Berberi: Të vij sot të diskutojmë pak dhe për nesër në orën 9.
Sipas Prokurorisë së Posaçme, këto biseda tregojnë një raport të papërshtatshëm mes autoritetit publik dhe përfituesve të koncesionit, si dhe dyshime serioze për favorizim, ndikim dhe paracaktim të procedurave në një projekt me vlerë qindra miliona euro. Hetimet vijojnë, ndërsa SPAK po analizon edhe prova të tjera financiare dhe komunikime shtesë.
