U shua një familje shqiptare në Itali, helmimi nga monoksidi i karbonit merr katër jetë

Data

Një ngjarje e rëndë ka tronditur komunitetin shqiptar në Itali, ku një familje me katër anëtarë u gjet e pajetë në banesën e saj, si pasojë e helmimit nga monoksidi i karbonit. Viktimat janë Arti Kola, 48 vjeç, bashkëshortja e tij Jonida Kola, 43 vjeçe, djali Hajdar, 22 vjeç dhe vajza e mitur Xhesika, 15 vjeçe, me origjinë nga qarku i Elbasanit.

Sipas autoriteteve italiane, alarmi u dha nga vëllai i kryefamiljarit, pasi familja nuk po u përgjigjej telefonatave. Pas mbërritjes në banesën trekatëshe dhe mungesës së çdo reagimi, ai së bashku me dy karabinierë hynë me forcë brenda, ku u përballën me një skenë të dhimbshme: katër trupat e pajetë të shtrirë në dysheme.

Ngjarja dyshohet të ketë ndodhur në orët e mbrëmjes. Ekipet e shpëtimit gjetën tryezën të shtruar, çka tregon se familja ishte përgatitur për të ngrënë darkë. Dy efektivët e karabinierëve që hynë të parët në banesë shfaqën shenja të lehta helmimi, por fatmirësisht ndodhen jashtë rrezikut për jetën.

Autoritetet kanë nisur hetimet për të zbardhur shkaqet e sakta të rrjedhjes së monoksidit të karbonit dhe për të verifikuar funksionimin e sistemit të ngrohjes në banesë. Tragjedia ka lënë në zi familjarët dhe komunitetin, duke rikthyer vëmendjen te rreziku i pajisjeve të ngrohjes dhe nevoja për kontrolle periodike sigurie.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related